>
BIOSHQIP

Shyhrete Behluli: “Nuk Dal Nga Shtëpia Pa U Rregulluar”

07-06-2014
Është njëri ndër zërat më të dalluar të muzikës popullore. Bëhet fjalë për Shyhrete Behlulin, e cila ka një karrierë të suksesshme e një mori suksesesh pas vetes. Këngët e saj janë pëlqyer nga shumë gjenerata të ndryshme. Falë përkushtimit dhe dashurisë që ka ndaj muzikës, këngëtarja ka arritur që të jetë e dashur për shumë miq dhe adhurues të saj. Ajo në një intervistë për gazetën Tribuna ka shpalosur shumëçka në lidhje me jetën e saj të përditshme, duke u përgjigjur në mënyrë të thjeshtë dhe të sinqertë pyjeve që i janë drejtuar.

Tribuna: Si e kujtoni fëmijërinë tuaj?
Behluli: Fëmijëria e çdo personi është periudha më e veçantë. Koha kur kam qenë unë fëmijë, ka qenë shumë e mirë. Janë disa detaje që nuk janë edhe shumë të rëndësishme, mirëpo ty të ngjallin një ndjenjë nostalgjie. Sepse kur je fëmijë, nuk brengosesh për asgjë, ke lirinë e kur e ke lirinë e ke edhe lumturinë. Kjo është ajo e cila e kisha cekur, diçka tjetër nuk po më kujtohet.

Tribuna: Cili është libri dhe filmi që ju kanë lënë më së shumti përshtypje?
Behluli: Filmi më i mirë për mua është ‘Udha e Shkronjave’. Ndërsa vepra e cila më ka lënë më shumë përshtypje është e autores Brunilda Zllami ‘Lindur femër’.

Tribuna: Cili është gjësendi më i shtrenjtë në dollapin tuaj?
Behluli: Nuk di çka kam të shtrenjtë, nuk i vlerësoj gjërat sipas çmimit, mirëpo çka kisha cek janë vathët e gjyshes e cila ia ka dhuruar nënës time, ndërsa nëna ime m'i ka dhuruar mu. Kështu që ata i kisha cek si gjësendi më i shtrenjtë që kam në dollap, sepse është një dhuratë shumë me vlerë për mua.

Tribuna: Cila është e meta juaj më e madhe?
Behluli: (qeshet)Secili njeri ka të meta. E kam një të metë shumë të keqe, sepse jam njëri që fal shumë. Mirëpo në momentin që dikush e tepron dhe e arrin kulmin e durimit tim, atëherë nuk e kthej kokën mbrapa dhe nuk e fal asnjëherë. Kjo është e meta ime.

Tribuna: Çfarë vëren fillimisht te një mashkull?
Behluli: Në përgjithësi shikoj pamjen e përgjithshme, më tërheq eleganca tek disa persona, mandej janë gjërat tjera të cilat i vërej më pas.

Tribuna: Cilëve tipa të njerëzve ju ikni?
Behluli: Nuk i dua njerëzit të cilët kanë krenari shumë të madhe. Më pëlqejnë njerëzit e hareshëm njerëzit me të cilët bëj muhabet lirshëm e jo ata të cilët bëjnë muhabet me rezerva.

Tribuna: Hobi juaj i preferuar?
Behluli: Muzika thuajse më është bërë profesion diçka tjetër që kisha cek te hobi është që kam dëshirë të ec në ajër të pastër, edhe pse nuk po kam shumë kohë, por kur kam atëherë në kohë të lirë kam dëshirë të ec.

Tribuna: Çfarë mund të ju nervozoj në moment?
Behluli: Njerëzit e papërgjegjshëm sidomos në trafik, ata më bëjnë nervoz shumë, edhe pse ndoshta edhe ata kanë arsyet e veta, por më acarojnë kur nuk i respektojnë rregullat.

Tribuna: Kur keni kërkuar për herë të fundit ndihmë?
Behluli: Ndihmë nuk di çka kisha mundur me cek, nuk po më kujtohet. Nuk kam kërkuar ndihmë të madhe prej askujt. Po derisa nuk po më kujtohet me siguri që nuk kam kërkuar ndihmë ndonjëherë edhe shpresoj që edhe në të ardhmen nuk kam me pas nevojë për ndihmë të madhe nga askush.

Tribuna: Cila është frika juaj më e madhe?
Behluli: Unë kam fobi mbylljet p.sh ashensori e gjërat e mbyllëta. Kam frikë edhe nga gjarpri, shpresoj që kurrë mos të shoh ndonjë gjarpër përveç në TV sepse i frikësohem shumë.

Tribuna: Pa çfarë nuk dilni kurrë nga shtëpia?
Behluli: Nuk dal nga shtëpia pa u rregulluar. Edhe nëse dal për një kafe apo vetëm në dyqan, e kam zakon të rregullohem pak, jo shumë, por nuk më pëlqen që femra të mos mirëmbahet.

Tribuna: Çfarë i thoni më së shpeshti vetes kur shikoheni në pasqyrë?
Behluli: Ndonjëherë më duket vetja e mirë ndonjëherë jo, krejt kjo varet prej disponimit se si e shoh unë veten. Mirëpo ajo çka ka rëndësi është ta kem shëndetin pastaj tjerat me rend.

Tribuna: Kur për herë të fundit keni hipur në trafik urban?
Behluli: Uhh ka ndoshta vite e vite, nuk e di as vetë me tregu ndoshta qysh para luftës. Nuk është që e anashkaloj, por më shumë më lidhen punët me fëmijë, me burrë, kështu që nuk kam pas nevojë të hip në trafik urban.

Tribuna: Nëse i kishit fituar në lotari 1 milion euro, ku i kishit shpenzuar më parë?
Behluli: Të jem shumë e sinqertë po t'i kisha fituar 1 milion euro, do i kisha ndihmuar krejt familjarëve të mi, edhe pse disa do kishin me thënë që do i kishin dërguar për bamirësi. Unë po tregoj sinqerisht që njëherë i kisha ndihmuar të gjithë familjarët e mi, pastaj pjesën tjetër do t'i kisha dërguar për bamirësi gjithsesi.

Tribuna: Destinacioni i juaj i ëndrrave?
Behluli: Me thanë shumë sinqerisht nuk e kam ndonjë vend të preferuar, sepse ndoshta që kam qenë në shumicën e vendeve e gjithnjë kam qenë me punë, kështu që nuk kam ndonjë vend ‘ahh po të isha shku aty’.

Tribuna: A bëni punë shtëpie?
Behluli: Punët e shtëpisë patjetër që i bëj, bile me thanë të drejtën kur zgjohem në mëngjes, së pari e pi një kafe me burrin tim Lulin, pastaj ia filloj punëve të shtëpisë. Unë për vete kënaqem duke i kryer punët e shtëpisë edhe pse më ndihmojnë edhe vajzat shpeshherë. Ndonjëherë kur nuk jam në disponim veç e mbylli derën, dal pi kafe edhe pastaj kthehem dhe i bëj me gjithë qejf.
(Majlinda Llapashtica)

Shyhrete Behluli: “Nuk Dal Nga Shtëpia Pa U Rregulluar”