>
BIOSHQIP

Sidrit Bejleri: Edhe Artistët Dhe Politikanët Kanë Nevojë Për Zotin

24-07-2013
Këngëtari Sidrit Bejleri, njëri nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare e sidomos të performancave ‘live’, është një nga artistët më besimtarë. Ai flet me dashuri për fenë dhe për agjërimin, ndërsa ka treguar se ka kënduar edhe opera duke qenë agjërueshëm.
“Kam vite që agjëroj. U bënë rreth 7-8 vjet që unë agjëroj dhe e bëj me ndërgjegje të plotë, që e di se ç’është agjërimi”, ka thënë këngëtari në një intervistë për Summer Pages.

Duke shpjeguar se çfarë vlerë ka për të dhe si mund ta përshkruajë muajin e Ramazanit, ai thotë: “Rëndom e trajtojnë si vënia e një personi në pozitën e të varfrit, por nuk është vetëm kjo. Janë një sërë gjërash që njeriu ia mohon vetes. Nuk mjafton vetëm të rrish pa bukë e pa ujë... Nuk duhet të nervozohesh, të shprehesh keq apo të ofendosh të tjerët. Ndalohet edhe marrëdhënia seksuale. Janë shumë frenime, dhe kështu duhet të jetë njeriu në të vërtetë. Këto 30 ditë të krijojnë një autokontroll. Gjatë këtij muaji njeriu mëson të kontrollojë epshet, shfryrjen e nervave. Nuk është kaq e kollajtë. Pra, nuk duhet perifrazuar vetëm me mungesën e ujit apo ushqimit... Agjërimi bën mirë edhe për shëndetin. Është vërtetuar edhe nga ana mjekësore që agjërimi bën mirë për trupin e njeriut, të pastron nga helmet... Trupi rikuperon lodhjen e 11 muajve të tjera të vitit gjatë një muaji ‘pushim’, nëse mund ta quajmë kështu”.

Kur është kërkuar që të japë mendimin e tij për politikanët që agjërojnë, Sidriti është shprehur: “Për mendimin tim nuk duhen ndarë në politikanë e artistë, sepse të gjithë janë rob të Zotit. Dhe kur them fjalën ‘rob’ nënkuptoj krijesa të Tij. Duke qenë kështu, s’ka rëndësi profesioni apo posti. Një politikan apo një person VIP nuk është më i paprekshëm karshi Zotit. Të gjithë kanë nevojë njësoj për Zotin”.
(Telegrafi)

Sidrit Bejleri: Edhe Artistët Dhe Politikanët Kanë Nevojë Për Zotin