>
BIOSHQIP

Silva Gunbardhi: E Dua Aq Shumë Këngën Sa S'mendoj Për Asgjë Tjetër

11-09-2012
Një ndër karakteristikat e saj, veç zërit të mrekullueshëm është edhe buzëqeshja. Sa herë që ngjitet në skenë sjell një diçka shumë origjinale dhe të menduara me shumë kujdes. Kjo është këngëtarja Silva Gunbardhi, e cila nuk ka shumë dëshirë që të flasë me fjalë, pasi ajo shprehet më shumë me muzikën e saj. Nuk mund ta cilësojmë si këngëtare të muzikës së lehta apo popullore pasi ashti siç thotë edhe vetë Silva ajo i këndon të dyja me shumë pasion dhe i falin shumë emocione. Por si e ka nisur rrugën e këngës, çfare ka marrë nga qyteti i saj i lindjes Vlora, e të tjera sekrete të vogla, rrëfen këngëtarja lozonjare në një intervistë të dhënë për suplementin "Summer Time" në gazetën "Koha Jonë".

Sot që ju jeni bërë një emër i njohur, çfarë kujtoni nga fillesat tuaja, ato momente kur ju kuptuat se ishit një këngëtare tashmë?

Mund të them se kam qenë shumë e vogël kur kam nisur te këndoj. Mami im më thotë sh herë se edhe kur kam qenë ende pa dalë në këtë jetë, pra kur mami ka qenë gjatë shtatëzanise, sapo ajo ishte në ambiente ku dëgjohej muzikë,unë lëvizja vrullshëm. Pra që në bark të nënës muzika ka pasur një ndikim shumë të madh tek unë dhe unë kam reaguar ndaj muzikës (qesh). Nuk mund të flas për ato momente kur e kupton se je këngëtare tashmë, pasi vijnë shumë gradualisht dhe kështu nuk është se e ke të fiksuar në memorie atë moment.

Kënga juaj e fundit është një duet me këngëtaren Eranda Libohova, si lindi bashkëpunimi juaj, pasi ky nuk është i para apo jo?

Në fakt ne vimë me një bashkëpunim për herë të dytë me këngën "Zare Magjistare" që është bërë e njohur për publikun vetëm si këngë për momentin sepse nuk ka ende një klip. Po bashkëpunimi jonë ka lindur shumë natyrshëm. Unë kisha një material që na përshtatej dhe vendosëm ta këndonim së bashku në duet."Zare magjistare" është pëlqyer shumë nga publiku dhe ne mendojmë se do të regjistrohet së shpejti edhe një klip!

Ju vini nga Jugu, çfarë keni marrë nga qytet juaj i lindjes, Vlora?

Unë kam lindur dhe jetuar një pjesë të madhe në këtë qytet të mrekullueshëm siç është Vlora. Mund të them se kam marrë gjërat më të mira të miat siç janë bujaria e vlonjatëve, por jo vetëm pasi të tillë janë të gjithë shqiptarët, këmbënguljen dhe karakterin e fortë.

Cila është pika më e forte e karakterit tuaj?

Pika më e fortë e karakterit tim është këmbëngulja dhe reagimi(reflekset).

Si e shihni tregun muzikor sot në Shqipëri, është ai korrekt?

Përsa i përket tregut muzikor, nuk mund të jap v l e r ë s i m e sepse e shoh sakrificën që bëjnë shumë këngëtarë për të realizuar materialet e tyre. Nëse nuk zbatohet ligji i të drejtës së autorit, gjithçka do të vazhdojë të mbetet pezull. Mund të them se dhe në Shqipëri ashtu si në të gjithë botën ka këngë të realizuara në studio profesionale ashtu siç ka edhe këngë të tjera. Megjithatë për të gjitha në fund i mbetet publikut të gjykojë!

Si ishte ky sezon veror për ju?

Sezoni veror është një sezon shumë i ngarkuar. Kam qenë aq e zënë me sa këtë vere s'kam mundur të bej pushime. Gjithsesi nuk jam e lodhur, kam dëshirë të vazhdoj të punojë.

Një prej pikave të forta te shumë këngëtare është edhe imazhi, për ju sa rëndësi ka?

Imazhi ka shumë rëndësi si çdo femër do të thosha. Më pëlqen të kem një pamje të kuruar por pa ekzagjerime. Mundohem të mos dal nga natyra ime por të shfaqem edhe tek njerëzit që nuk më njohin mirë, ashtu siç jam në të vërtetë. Thjesht dhe pa ekstreme. (Qesh).

Nëse do ju duhej të zgjidhnit mes muzikës së lehte dhe asaj popullore, cila do të ishte preferenca juaj?

Të gjithë prejardhjen e kemi nga muzika burimore. Të gjithë këngëtarët, kush më shumë apo kush më pak, munden t'i këndojnë këngët e vendit të tyre. Ndërsa muzikën e lehte s'mund ta këndojnë te gjithë. Festivalet me "filtrat" e tyre seleksionojnë dhe në to s'mund të këndojnë e më pas të vlerësohet me çmim çdo këngëtar. Unë s'mund t'i ndaj, sepse të dyja në vende të ndryshme, më dhurojnë emocione të fuqishme!

Me cilët apo cilin prej këngëtareve do të donit të bënit një duete dhe nuk ju është dhënë ende mundësia?

Të them të drejtën, unë kam disa duete në karrierën tim e dhe për momentin ende se kam menduar apo dëshiruar një tjetër duet momentalisht, në të ardhmen nuk i dihet.

Sot një pikë e fortë referimi për të parë se si po ecën një këngë janë klikimet në Youtube që ajo këngë merr, mendoni se është e drejtë kjo?

Sot është koha e internetit dhe për këtë arsye, ndodh të ndikohemi. Këngët dëgjohen në kanalet muzikore dhe një bum klikimesh nuk do të thotë gjithmonë se kënga është shumë e bukur. Pasja ekziston dhe pirateria, rritja artificiale e numrit të klikimeve gjithsesi do ta quaja një tregues.

Keni menduar se ç'mund të ishit bërë, nëse nuk do te ishit këngëtare?

Nuk mund ta them në këto momente. E dua aq shumë këngën sa s'mendoj për asgjë tjetër!

Kur keni ndërmend të bëni një album tuajin?

Është pak e vështirë sot të nxjerrësh një album, sepse del në internet pa u publikuar apo promovuar nga vetë këngëtari ende. Mendoj se për kohën në të cilën e drejta e autorin, nuk vlerësohet dhe aq shumë më mirë do të ishte një singëll i fuqishëm se sa një album.

A do të jeni pjese e festivaleve qe organizohen këtë vit, si "Kënga Magjike" apo festivali i fund vitit?

Kam shumë dëshirë që të jem pjesëmarrëse, gjithsesi nuk mund t'u japë një përgjigje të saktë. Nëse do të kem një material të mirë pse jo!
(Yllka Selita Koha Jone)

Silva Gunbardhi: E Dua Aq Shumë Këngën Sa S'mendoj Për Asgjë Tjetër