>
LETERSISHQIP

Etje E Pashuar

Kam një etje prej lubie
Të pi rrjedhat e burimit
N’ ato gurra Labërie
Qysh kërthi mëkuar gjirit!

Mëkuar prej gjirit të Nënës
Djepit, ninullash – epike
Ku më ndizej zjarr- i këngës
Dhe tërë eposet kreshnike.

Kam pirë gurrën e florinjtë
Kristalet me tise drite
Atje ku pinë Frashëllinjtë
Në gurrën e gjuhës Shqipe.

Piva prej gjuhës së shenjtë
Piva gjithë rrjedhat në gurrë
Por për vendlindjen e shtrenjtë
etja nuk m’u shua kurrë!

S’mu shua kurrë e kurrë s’do shuhet
Për sa kohë do t’ jem mbi dhè
Por dhe kur, nga unë të shkulet
Shpirt- i etur, do shkoj Atje!