>
LETERSISHQIP

Të Kthesh Kohën Pas

Po kthej kohën pas,
në magjen e drunjtë më shfaqet gjyshja nga babai,
duke fërkuar jelekun e leshtë të burrit të saj,
atje më tej, qosheve të hënës.

Jo, s’dua të merrem me hapësirat
pafundësisë së qiellit
aty, ku formën ndryshon hëna,
barkun fut brenda nga uria,
pastaj na shdërrohet e plotë si mëndjemadhe.

Tani kam të fiksuar atë kohë,
kur gjyshen përqafoja,
çapkëne llastohesha rrotull saj.

Si statujë elegante më priste,
pranë portës,
e madhe shtëpia,
n’atë qytet larg Tiranës,
akoma më i madh oborri,
kur luanim rreth e qark.

Shpesh, e dëgjoja të lutej gjatë ditës,
të afronte më shpejt mbrëmjet e saj.
Qëndronte bërryl’mbështetur tavolinës
përtej harresës së trëndafiltë,
në dhimbjet dhe hallet e saj.

Fjalë ëmbël, mbetur kujtimeve të mia,
prandaj iu ktheva, kohës pas.