>
LETERSISHQIP

Një Mëngjes I Bukur Vjeshte

Avioni,
kishte pak shkallë në zbritje,
dy herë njërën të majtë dhe një herë të djathtën,
për t'u puthur me tokën pritëse.

Dy vajza të vogla iu shkëputën të jëmës,
ato kishin dëshirë të mbanin duart e njëra-tjetrës.
Hapat e tyre të shkujdesura,
u ndalën para karrocës binjake dhe nëna e tyre,
i ngriti me krahët e saj të ngrohtë dhe i futi brënda.
Unë vështroja,
si vogëlushet puthën njëra-tjetrën dhe nënën e tyre,
me doçkat e njoma,
duke lëshuar tullumbacet e fryrë qiellit,
Pufff, plasi njëra tullumbace.
Vogëlushet ngritën kokën lart.
Unë pashë syçkat e tyre të përlotura,
që dielli u shkëlqente perlat,
ndërsa nëna e tyre puthte faqet e tyre pa u ndalë.

Ishte një mëngjes i bukur vjeshte..