>
LETERSISHQIP

Unë Kështu E Dua Burrin...

S`më duhen faqet e bardha
edhe sytë bojë hiri,
thahen si lule të bardha
menjëhëre sa mbaron Prilli.

Dua rrënjën edhe trurin
dua nderin edhe jetën,
unë kështu e dua burrin
nuk kam sevda as kuletën.

S`dua të merret me femra
s`dua zinxhir floriri,
po të më ngrohë te zemra
ta kem besnik te gjiri.

Nuk dua fustan me lule
s`dua kostum allafrënga,
s`e dua për mish e tule
dua buzë nga buron kënga.

S`më duhet daullaxhi
as ti bjerë gërnetës shumë,
po me sjellje si njeri
dhe të ketë zemrën si unë..

Dua të kemi një zemër
dua të kemi një besë,
bashkë në gjumë edhe në ëndërr,
bashkë në varr dhe kur të vdesë...