>
LETERSISHQIP

Nimfa Me Sy Të Kristaltë

Nimfë me sy të kristaltë
Me ty rashë në dashuri
Mezi pres të bie në gjumë
Dua të të shoh përsëri

Me duart e tua magjepsëse
Preke çdo gjë në shtëpi
Mure, dysheme, orendi
Preke dhe trupin tim

O nimfë, i mjeri unë
Pse s’jam Narcis?
E ti të më duash pa reshtur
Pse përherë duhet të vuaj
Nga ai shikim i qartë si bilur

A nuk rri në lëndina e moçale ti?
Ç’do që më shfaqesh mua
Më pikon zemra kur zhdukesh si tymi
Të dua, të dua, të dua

Më këndo një këngë,
Prit mos u largo
Një tingull a melodi
Që shpirti të më bie në qetësi

A thua ndonjëherë do të të harroj?
Ëndrrat më fort se realitetin jetoj
Se ëndrrat më mbajnë gjallë
Po ti ku do të jesh, vallë

O nifmë me sy të kristaltë
Zemrën ma ndriçove ma bëre si hënë
Ç’e do, veç në gjumë të shoh
Më befaso, më befaso, më befaso.