>
LETERSISHQIP

I Gjori Engjëll

Ndonjëherë,
rri e mendoj.
Çdo njeri në botë
e ka një engjëll.
Për ta parë
s’e shohim dot,
por kjo s’do të thotë që ai s’është aty.
Unë,
të paktën unë,
engjëllin tim arrij ta ndjej.
Ndiej prezencën e tij pas meje
duke u lutur që gjithçka të shkojë mirë
qoftë edhe kur jam në gjumë.
Por,
më fort e ndjej
atëherë kur lëndohem
- nga çdo gjë -
e ndjej tek mbledh copat që shkëputen prej meje
dhe më bën të mëndoj
a rigjenerohet shpirti?
Ç’bën engjëlli im me copat që mbledh prej meje,
plotëson vetveten?
Ç’i duhen engjëllit copat e mia,
të jetë një krijesë e brishtë,
e thyeshme?
Unë thyhem,
qelqi shpërthen dhe përplaset përtokë,
engjëlli i mbledh copat dalngadalë
dhe mozaikun e thyer s’e rindërton.
Unë shkërmoqem,
engjëlli krijohet.
A mos ndoshta ato copa do shërbejnë për unin tim tjetër, atje diku?
Ndonjëherë,
rri e mendoj.
I gjori engjëll,
mbeti përherë i kërrusur.