>
LETERSISHQIP

Floreshë Bujkesha

1.
Mbi jastëkun e qëndisur
me një flutur,
fle Floresha dhe shikon
ëndërr të bukur:
sikur është agronome,
vajzë e madhe,
në parcela po punon
si shkencëtare.

Dhe në fshat, te qershia
në oborr,
kjo Floresha paska bërë
laborator.

Bimë, libra e plot fara
lloje-lloje,
janë ndarë nëpër kuti,
si nëpër hoje.
Vijnë gjyshet e i thonë:
- Rrofsh, moj mbesë,
erdhi koha që dhe vajzat
bëjnë shkencë!

Po ndonjëri lëshon fjalë
poshtë e lart:
“Mbeti shkenca ta bëjë Flora…
Ku?...Në fshat!...”

Po Floresha ka besim
se patjetër
do habitë dhe shkencëtarët
më të vjetër.
(Shqetësuar lëviz Flora në
krevat,
një album me bimë e lule
fle në raft.
Vazhdon ëndrra, ëndërr e
Florës
është e gjatë…)

2.
Bimët që ka mbjellë Floresha
me bujkesha,
janë rritur, hajde, hajde
ç’janë rritur,
vijnë njerëzit dhe shikojnë
të habitur.

Zgjatur misri atje sipër
sa një plep,
nëpër fletë dy-tre kallinj
sa një dyfek.
Bëhet Flora nga gëzimi
prush në faqe,
ndërsa misri kapardiset,
dredh mustaqet…

Burokrati te një zyrë
është në hall:
“Si do korret
gjithë ky misër,
me se vallë?!

Këtu drapri s’hyn në punë,
moj Floreshë,
duhen sharra, po kaq sharra
ku t’i gjesh?! ”
Burokrati te një zyrë
është në hall.
“Eh, ç’na bëre, moj Floreshë,
këtë rradhë!...”

3.
Një të diel lëre ç’vajti,
u bë nami,
janë mbledhur plot fëmijë
te bostani.
(S’erdhën vetë, i ka thirrur
brigadieri,
se karpuzin sa një viç
do “ta theri”…)

Brigadieri ngre… sëpatën
mbi karpuzët,
vogëlushët, krejt pa dashje,
lëpijnë buzët.

Lëpijnë buzët vogëlushët
pllaq e plluq,
sa një lëmë “krak” karpuzi,
flakë i kuq.

Mrekulli si kjo fëmijët
s’kishin parë,
gjithë karpuzi vetëm tul,
asnjë farë.
Nga gëzimi, sytë e bukur
seç u ndrisnin.
Ç’është e drejta, ato farat
të bezdisnin…

Nga një thelë tetë kile
Për çdo njerin.
- Hani, hani - thotë i lumtur
brigadieri.
- Veç ta dini se ndonjë
kujdes po s’pati,
kur të flerë, mund t’i njomet
dhe krevati!...

Qesh Floresha nëpër gjumë,
hi, hi, hi!
Doli hëna, leu xhamat
me flori.
…Vazhdon ëndrra si ca filma
me seri…

Te parcela me patate
çfarë ka ngjarë?
Janë mbledhur plot fëmijë
dhe fshatarë,
midis tyre dhe një grup
me shkencëtare,
sikur kanë ndonjë shfaqje
për të parë:

Ja një djalë i fuqishëm,
ujë në djersë,
do të futë një patate
në një thes.
Po patatja është sa gjysma
… e bufesë!

Është vështirë, ndaj djaloshi
merr e jep,
më në fund i shkreti thes
gërr… u shqep.

Me gëzim fshatarët këngës
po ia thonë:
- Hajde, hajde ku arriti
shkenca jonë!

Burokrati, te një zyrë,
Prapë në hall.
“Eh, ç’na bëre, moj Floreshë,
këtë rradhë!
Iku qetësia ime,
iku vate,
ku gjen thasë për të futur
kaq patate?!...”

Po Floresha burokratin
s’e dëgjon,
në parcelë me brigadën
po punon,
do studiojë diçka tjetër
bashkë me shoqe…
…Që nga kodra derdhen lumë
këngët e zogjve.