>
LETERSISHQIP

Obobo I Ziu Ç'bëra!

Dikur, në një përrallë të lashtë,
na ishin katër shokë bashkë:
një qen, një mace, një gomar,
një gjel i bukur pendëar,
që bënin plot gjëra të rralla,
për ta ka folur dhe përralla...

Këta të katër i kam parë
dhe një vit e ca më parë
në një kabinë të katër bashkë,
bënin pushimet në një palzh.

Gjeli, si gjel, s'ulej në rërë,
mbi një tel të çadrës rrinte në
këmbë
e bënte banjë veshur me pendë.

Macja "kulaç" ulej e rrinte
e mbyllte sytë, niste gërhinte.
Të shkretit qen, ngaqë ish vapë,
i dilte goxha llapë e kuqe flakë...

Gomarit me lëkurë të trashë
aty në rërë ku bënte plazh,
aty pranë detit valë-valë,
i shkonin djersët palë-palë,
ndaj i tha maces: - Shko me vrap
gjer në kabinë e merr paratë
të pimë nga një... arançatë.

Iku macja me të katra
e solli katër arançata.

Gjeli me sqep pik-pik e piu,
qeni me gjuhë llëq e lëpiu,
ndërsa gomari më nuk priti,
i hoqi tapën, e rrufiti
e pastaj shishen e vërtiti
aty në anë, te një parmak,
e plasi shishja, bëri "krak",
u hapën qelqet rreth e qark.

Qelqet, me majën si gjilpërë,
u ngulën një e nga një në rërë.
I thanë shokët me ta parë:
- Po ç'bën kështu, more
gomar?!
Qelqet e kanë majën si gjemb
e do na hyjnë nëpër këmbë.

U gjegj gomari pa të keq:
- Mua s'më hyn dot asnjë qelq.
Unë edhe qelqet i thërmoj,
se i kam këmbët me potkonj.

S'i heq potkonjtë as ditë as natë,
i mbaj në këmbë dhe në shtrat,
ndaj mos e qani hallin tim,
- u gjegj gomari pa të keq, -
se nuk më hyn dot asnjë qelq...

Një patë, një patë qafëgjatë,
që po kalonte atypari,
dëgjoi fjalët e gomarit
dhe qetë - qetë e qortoi:

- Vërtet në këmbë ti ke potkonj,
ama në rërë po u ule,
gjithë qelqet do t'i hash në...
tule!

Gomari qesh me zë të trashë:
- Si the, moj patë, aman më
qafsh?
Ruaj, moj, këmbët si lopatë
q'i ke të buta si mëndafsh,
e nëpër qelqe muund t'i çash,
e mund t'i çash, moj, që të dyja,
mos ki merak për tulet e mia!

Ikën ditët, fluturuan,
qelqet rërës u harruan...
Ja, gomari me lezet
llaq e pllaq noton në det,
pastaj shtrihet gjatë e gjerë,
banjë dielli në rërë.

Ja, në rërë sa u shtri,
thirri fort me lebeti.

Thirri fort: - Ia-ia!
Ç'ka gomari, vallë ç'ka?!
(Si duket, porsa u ul,
diçka tuleve iu ngul).

Ndaj thërret me lebeti,
ngrihen tre shokët e tij
dhe nisen kërkojnë mjekun;
ja ku vjen dhe mjek lejleku.

E ngul sqepin me të keq,
copat një nga një i heq,
pambukun në jod e lag,
i pastron rërën në plagë;
mirë e mirë si e mjekon,
gomarin e këshillon:

- Gjashtë ditë në det s'do hysh,
brenda në kabinë do rrish!
Thotë gomari: - Bobo, ç'bëra,
dy javë pushimet të tëra,
unë një javë të mbyllem
brenda?!

Iku deti, iku rëra,
obobo, i ziu ç'bëra!...

Mjek lejleku qetë-qetë
merr dhe një shiringë në
sqep
dhe i thotë që të mos lozi,
se do bëjë tetanozin:
pesë gjilpëra mu në bark!
Pesë gjilpëra mu në bark?!
Nga frika për pak... u lag
dhe tha prapë: - I ziu ç'bëra,
iku deti, iku rëra,
m'u ça barku me gjilpëra!

Aty pari kalon pata,
kalon pata qafëgjata,
dhe gomarit na i thotë:
- Ç'ke gomar, pse qan me
lotë,
pse s'përgjigje, s'më dëgjon?!
Koka bën, koka pëson!

1988