>
LETERSISHQIP

Miu Sa Një Grusht Dhe Luani Sa Një Mal

Shëtiste pyllit rreth e qark
ky miu - kocomiu,
kur papritur ra në çark
dhe thirri: - Ah i ziu!

Ky çarku këmbën ia shtrëngon,
mbërthyer si me darë.
E sheh, do vdesë, s'ka si shpëton,
ndaj shëmbet duke qarë.

Vërtet që dhëmbët brisk i ka,
është mjeshtër për të brejtur,
po çarkun s'mund ta brejë ama,
se çarku është hekur.

Kalon luani madhëshor
me krifën si mullar.
- Ç'të paska gjetur, o i gjorë,
që ngele duke qarë?

- Shpëtomë - i lutet kocomiu,
shpëtomë, më hiq këtej,
se, kush e di, dhe unë i ziu
një ditë do ta shpërblej.

Luani gojën e çaploi
dhe ha, ha, ha, u shkri:

- Unë jam luan e s'kam nevojë
të më ndihmojë një mi.

Po prapë çarkun e shkallmoi
dhe miun e shpëtoi.

Kaluan një apo dy vjet,
kur ja një natë për dreq
luani kishte rënë në rrjetë
dhe ishte pleksur keq.

E fortë, e dëndur rrjeta ishte,
të trashë ishin litarët,
gjer në mëngjes, po të mos dilte
do vinin gjuetarët...

Luani qau me oi
dhe klithi, ulëriu,
kur ja, papritur mbiu aty
ky miu - kocomiu.

- Mos qaj, o mik, se kemi shpresë
që rrjetën lidhur pisk,
gjer në mëngjes, unë do ta pres
me dhëmbët porsi brisk.

Dhe gërr e gërr e breu rrjetën
dhe ja shpëtoi jetën.

Luani qenka zënë ngushtë,
luani sa një mal;
dhe kocomiut sa një grusht
s'i thënka dot një fjalë.

Iu duk se pylli i gjithë gjëmoi
dhe ha, ha, ha, u shkri:
"Kur je luan, që s'ke nevojë
të të ndihmojë një mi?!"
1995