>
LETERSISHQIP

Na U Grindën Dy Maçokë

Dy maçokë, që s'janë shokë,
u takuan te një portë.
Krisi sherri me të shara,
kush të hynte më përpara!
- Do hyj unë!
- Pse do hysh?
Mos je ndonjë babagjysh?
Mutaqe kemi të dy,
do hyj unë, pse të hysh ti?
Jo po ti e jo po unë,
fyta-fytas na u zunë.
Njëri ndiq e tjetri ik,
ja, u ngjitën mbi një fik.
Dhe nga fiku hop të dy
na kërcyen mbi çati.
Mbi çati nisi...dueli.
- Ki-ki-ki, - u foli gjeli.
- pse po grindi, mor të prapë,
pse po bëhi qesharakë?
Gjithë bashkë në një portë
mund të hyjnë dhjetë maçokë...
- Le të hyjnë dhe njëzet,
unë i pari futem vetë...
...Përsëri sherrin e nisën,
mbi çati u rrokullisën
e na ranë që të dy
kollotumba në fuçi.

Qeshi gjeli: -Ki-ki-ki!
1989