>
LETERSISHQIP

Dembeli Dhe Milingonat

1.
Ish njëherë një dembel.

Një mëngjes, me përtesë
hodhi grurin në një thes,
i vuri qetë përpara
dhe u nis... e priste ara.

Mbrehu qetë në parmendë,
hop, i ra diçka ndër mend:
"Që të jem i fortë për punë,
a nuk bëj dhe një sy gjumë?"

Me të thënë e me të bërë,
shkon e shtrihet gjatë e gjerë.
Ende gjumi pa e kapur,
shikon ëndrra me sy hapur:

Ah, sikur...
të nisen qetë,
arën ta punojnë vetë!

"Ah, sikur...
thesi me farë,
ta mbjellë farën vetë në arë!

Për një ditë,
ah, sikur...
të mbushej ara me grurë!

E të bëhej
vetë ky grurë,
nga kalliri... bukë në furrë!

Qejf o qejf
do bëja unë,
ha kulaç e ngopu gjumë..."

2.
Milingonat,
punëtore
i ranë arës mes për mes.
Ndënë hijen
e gorricës
panë një thes, një goxha thes!
Pak më tej
panë një burrë,
gojë hapur flinte gjumë.

U menduan
milingonat
dhe i thanë pararojës,
që t'i ngjitej
nëpër gushë
e t'i shkonte pranë gojës,
ta ngacmonte
në mustaqe,
ta pickonte mu në faqe,
mu në hundë
ta pickonte,
që të ngrihej të punonte.

E pickuan
dhe në hundë,
po dembeli nuk u tund.

Miligonat
thanë pastaj:
"O dembel, s'të kemi faj,

ti kushedi
se sa do flesh,
gruri do kalbet në thes.

Këtë grurë
që ti e le,
do ta çojmë në fole,
s'rrinë pa punë
duart tona,
se ne jemi milingona.

Duam punë,
punë, punë,
ndërsa ti s'u ngope gjumë!"

... Ja u nis
autokolona,
qindra, mijëra milingona,
hë këtu
e hë atje,
çuan grurin në fole...

3.
Prapa malit dielli hyri,
dembeli mezi hap syrin.

Kur u zgjua thesin pa,
qeshi fort si budalla:

"Rroftë thesi, rrofshin qetë!
Grurin e kanë mbjellë vetë.

Unë tani do të rri të pres,
që ta korr, ta hedh në thes!"

Edhe priti, prit e prit,
prit një ditë e prit një vit.

Ç'e do... gruri kurrë s'u rrit.
1983