>
BIOSHQIP
Biografia
Grupi Telex u formua në Shkup në vitin 1979 nga Ismet Shaini, Shpend Ahmeti, Enver Bunjaku, Ylli Ismaili, Sejat Jakupi.

Ansambli Vokalo Instrumental "TELEX" nga Shkupi aktivitetin profesional në skenën muzikore e filloi viteve të 80-ta, ky grup djelmoshash shkupjan, të mbledhur nën emrin "TELEX" gjurmët e të cilëve edhe sot e kësaj dite akoma s'janë shlyer, ishin një grup të rinjsh entuziastë, që mësonin në Gjimnazin "Zef Lush Marku" në Shkup, të cilët me këngët e tyre shumë shpejt do të pushtonin zemrat e të rinjve.

Paraqitjet e para skenike-koncertet ky grup i realizoi në bashkëpunim dhe nën patronazhin e SHKA "Ibe Palikuqi" në Shkup e që këto paraqitje të Telex-ave në të vërtetë ishin edhe aktivitetet fillestare të kësaj shoqërie kulturore artistike.

"Telex-at" që nga viti 1981 e këtej plotësisht mbretëronin në muzikën zbavitëse shqiptare që atë kohë mori hov në Maqedoni, Kosovë dhe gjetiu. "Telex"-i ishte i pranishëm dhe përherë në ballë të të gjitha top listave. Morrën pjesë në shumë festivale si dhe të gjitha rok manifestimet, kishin turne të përbashkët me grupin Sarajevas "Bjello Dugme".

Në vitin 1981/1982 incizuan këngët e para në studion e re të RTV të Shkupit, e që atëbotë këtë privilegj mund ta kishin vetëm artistët e dalluar, me këto këngë ata treguan cilësitë e larta që posedonin dhe se i gjithë suksesi që do t'i përcjell më vonë nuk do të ishtë i rastësishëm.

Në vitin 1982 dhe 1983 në valët e RTV Prishtinës u zgjodhën grupi i vitit. Në 1983-ën një këngë e shkruar nga Telexat për grupin "Bijello Dugme" do të bëhet hit i madh në Jugosllavinë e atëhershme kështuqë me paraqitjen e tyre në koncertet e përbashkëta Telex-at do ta fitojnë respektin e merituar edhe në suazat e skenës Jugosllave.

Në vititn 1984 fituan mikrofonin e artë të RTP-së. Në vitin 1985 u editua kaseta e parë në produkcion të RTP-së e cila u shit në një tirazh mjaft të madh që në atë kohë ishte i paaritshëm për shumë artistë. Pasuan koncerte të shumta në Kosovë, Maqedoni dhe diasporë.

Në vitin 1985, Telex publikojnë albumin "Ta Gjen Mami Një Sheik".

Në vitin 2005, Telex publikojnë albumin "Telex".

Më datë 16 Dhjetor 2011, Telex publikojnë videoklipin "Letren E Saj".

Në vitin 2012, Telex publikojnë albumin "Për Mua Dhe Për Ty".

Për më shumë se 30 vite, të arriturat si dhe vlerat e larta artistike të këtij grupi ishin dhe ende janë inspirim dhe motivim i shumë artistëve e posaqërisht të brezit më të ri.