>
LETERSISHQIP

Heroinës Kërçovare

Në Kërçovë, atje n`malsi,
Në një fshat plot bujari,
Në fshatin Qafë, n`rrëzë t`Ujmirit -
Luajti bija, rolin e të birit!

Në gjak e kanë trimërinë,
Në shpirt e kanë besnikrinë,
Në kokë e kanë idealin,
E ruajnë nderin dhe moralin!...

Rriti nëna një shqiponjë mali -
Vajzë trimëreshë, Zoti e fali,
Sokoleshë e bukur si hanë,
Ajo emrin e kishte Sulltanë.

Kjo sorkadhe si zana e malit -
Ishte bija e Mazllamit,
Dy gërsheta mbante mbi shpinë,
Në zemër mbante trimërinë!...

Ngjarja e vitit 1913 -të,
S`do t`harrohet kurrë për jetë!
Keq armiku ishte tërbuar -
Fshatin Qafë kishte rrethuar!

Burrat e Qafës kishte tubuar -
N`oborr t`Mazllamit i kishte çuar,
Shumë i rrahin i torturojnë,
Pa asnjë faj i masakrojnë!...

Del Sulltana në dritare -
Sheh me sy torturat barbare!
U ra durve rrahu shuplakë -
Këtu sot do t`derdhet gjak!...

Thotë - moj nënë kuku për ne,
Duan babën me na e pre!
Babës vet i thotë - prej n`shkallë -
"Gajret babë se unë jam gjallë"!

Armë Sulltanës nuk i qëlloi -
Por, ndërmend shpejt i shkoi!
Gërshanët e dhenve i merr në dorë -
Fluturim ka dalë n`oborr!

Kapedan, more zemër zi,
Copa - copa thotë - do të gri!
Thellë ja ngulë ato gërshanë,
Të shtrirë për toke e ka lanë!

Kapedani pa dhënë shpirt,
Me gojë t`përgjakur përshpërit,
"Turp i madh për mua shumë,
Nuk vriten trimat kështu si unë"!

Fjalët e fundit që tha komita,
"Prej një vajze vdekjen s`e prita"!
Të ikin shokët i urdhëroi,
Një vajzë e re na turpëroi!...

T`lumtë Sulltanë, bija e Mazllamit-
Mirë ja bëre kapidanit,
Kështu vepron cuca e malësisë -
Kur ia shkelin pragun e shtëpisë!

Moj heroina kërçovare -
Trimëresha jonë legjendare -
Në fshatin Qafë një përmendore -
Në zemrat tona e gjallë prore.

TI moj cuca e malsisë -
Mbushe faqet e historisë!
Për ty kënga sot jehon,
Populli kurrë s`të harron!...