>
LETERSISHQIP

Kërçova Me Gëzim Dhe Lot

Është kënaqsi e madhe, kur njeriu në jetën e përditshme përjetonë çaste apo momente gëzimi, si lindja e një fëmije, (në shumë raste ndoshta i shumëpritur), martesa e tyre, apo ndonjë titull të lartë shkencorë e tj. Si shumë komuna tjera edhe Kërçova, (dikur Uskana e lashtë), në vitin 2013, pati gëzimet e saj. Me ardhjen e kurbetçarve, në pushime, gjatë muajve të verës, zbukurohej apo stolisej për mrekulli. Gëzimi dhe bukurija e saj, janë të rinjtë dhe të rejat që shetisin trotoareve të qytetit, krah për krah të shoqëruar nga shokët apo të afërmit e tyre. Hijeshija tjetër, janë vetuarat e stolisura, që marrin nuset gjatë ditës, kurse në mbrëmje nëpër restorane, bëhen dasmat e organizuara kohë më parë nga mërgimtarët, me këngëtarë të mëdhenj, nga vendi, Kosova dhe Shqipëria, të clit angazhohen maksimalisht që dasmorët të jenë sa më të disponuar, dhe që atmosfera e dasmës të jetë në nivelin e duhur. Por, nuk është vetëm kjo! Me ardhjen e kurbetçarve në vendlindje, komunat përfitojnë dukshëm, ekonomikisht, pasi tashmë dihet se mërgimtarët shqiptarë janë pjesa më dominuese e blerjes, apo investimeve të ndryshëm!

Kërçova, në vitin që lamë pas, shënoi edhe „Fitoren Historike“ të shumëpritur, pra, fitorja e zgjedhjeve lokale të 24 marsit, që u mbajtën në Republikën e Maqedonisë. Në këto zgjedhje, fitoi bindshëm i vetmi kandidat shqiptar, nga radhët e BDI-së z. Fatmir Dehari. Me organizimin e jashtëzakonshëm të kërçovarve, dhe përsëri, me ardhjen masovike të kurbetçarve nga Europa dhe Amerika e largët, që kësaj here ishte shumë afër, arriti që pas gati 70 vitesh, t`i fitojë këto zgjedhje, dhe kjo komunë të ketë kryetarin e saj - shqiptarë. Kjo fitore e madhe, që u manifestua në mënyrë transparente, duhet ruajtur nga të gjithë ne, që të mos ikë më kurrë nga duart tona, e cila gëzoi pa masë jo vetëm shqiptarët kërçovarë, por, edhe gjithë komunitetin shqiptarë, në Republikën e Maqedonisë dhe jashtë saj.

Gjatë vitit të kaluar, Kërçova bëri edhe një hap përpara, një hap tjetër historik! Në fshatin Zajaz u inuagurua kompleksi memorial, me një sipërfaqe mbi 3000 m2, që përkujtonë luftërat ballkanike. Në këtë hapsirë janë vendosur 500 gurë varresh në formë cilindrike dhe shtiza e flamurit kombëtarë, me një lartësi prej 30 metrash. Vlen të theksohet se këtë qendër memoriale e zbukurojnë; porta, fontanat, rrugicat apo shetitoret të rrethuara me lule, si dhe dritat elektrike që do ta ndriçojnë gjatë natës. Në këtë kompleks, aq të rëndësishëm, pikërisht në ditën e flamurit u ngritë edhe shtatorja e emëruar „Nëna Shqiptare“ që simbolizonë nënat shqiptare, që gjatë luftërave ballkanike u masakruan djemt e tyre të pafajshëm, të cilët ranë viktima të pushtuesëve. Këtë përmendore, prej bronzi të lartë pesë metra, e ndërtoi skulptori i madh z. Thoma Thomai nga Shqipëria. Këtë shtatore, të veshur me veshjen tipike kërçovare, e zbuloi kryetari i BDI-së z. Ali Ahmeti, i cili më pas foli për qëllimin e kësaj qendre memoriale, si dhe për domethënjen e kësaj përmendorje. Ali Ahmeti midis tjerash tha: E kaluara duhet të kujtohet që të mos përsëritet më, dhe të vrasë ndërgjegjen e atyre që kanë bë krime. Ne, nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, e as të shërojmë plagët e rënda të krimeve mbi popullatën e pafajshme. Në hapsirat ballkanike është i domosdoshëm pajtimi, ashtu siç e kanë bë gjermanët dhe françezët, pas luftimeve të përgjakshme, që zhvilluan midis tyre. Në këtë manifestim madhështorë, foli edhe kryetari i komunës së Kërçovës z. Fatmir Dehari, kryetari i SHVL-ës (shoqata e veteranëve të luteës), z. Fazli Veliu e tj. Në mesin e të pranishmive kishin ardhur edhe shumë personalitete të njohura nga të gjitha trevat shqiptare. Në vazhdim u mbajtë edhe programi kulturo - artistik, ku përveç tjerish në këtë kremtim, morën pjesë edhe këngëtarët e estradës shqiptare - Vëllezërit Dervishi, të cilit në stilin e tyre, kënduanë këngën polifonike kushtuar trimave të Zajazit.

Populli ynë, e ka pasur, dhe për fat të mirë, e ruan ende, një traditë të jashtëzakonishme, që t`i rikujtojë dhe nderojë dëshmorët e kombit, nëpërmjet; librave, këngëve, përmendoreve, apo në ndonjë mënyrë tjetër. Këtë traditë, e zbatoi edhe fshati Shitovë, (fshati im i lindjes)! Në këtë fshat piktoresk, më 29 dhjetor 2013, u zbulua pllaka përkujtimore, nga banorët e këtij fshati, që ca antarë nga familjet e tyre ranë heroikisht për çlirimin e fshatit. Ky monument historik, u ndërtua me kontributin e banorve të fshatit, në të cilin, në formë të gëdhendur, për të ngelur në kujtesën tonë dhe të pasëardhsve tanë, janë shënuar emrat e fshatarve të vrarë, që ishin viktima të okupatorve, gjatë luftërave ballkanike, që u zhvilluanë gjatë periudhave ; 1902 – 1913 dhe 1939 – 1945. Këtë pllakë përkujtimore, shumë të vlefshme, e ndërtuar me gurë mermeri, me një minutë heshtje për martirët e fshatit, e zbuloi kryetari i SHVL-ës z. Fazli Veliu nga fshati Kollarë, i shoqëruarë nga fshatarët, Imer Sefadini, Nuhi Xhemaili dhe Shefik Azizi. Në përurimin e kësaj pllake përkujtimore, fshatin Shitovë, me pjesmarrjen e tij, e nderoi edhe krytari i komunës së Kërçovës, z. Fatmir Dehari, i cili në fjalimin e tij, si gjithmonë nuk i la anësh mërgimtarët në përgjithsi, por, nga zemra falenderoi kontributin e tyre që dhanë gjatë zgjedhjeve lokale të 24 marsit. Gjithashtu para të pranishmive foli anëtari i këshillit organizativ z. Riza Imeri, kurse për të kaluarën dhe vuajtjet e fshatit Shitovë gjatë lutërave, foli historiani z. Gëzim Sula, veprimtari z. Fatmir Limani nga Kërçova etj. Në vazhdim, nxënsit e këtij fshati recituanë ca poezi të bukura, që nga të pranishmit u mirëpritën me duartrokitje, gjithashtu u kënduanë edhe këngë të melosit burimorë shqiptarë, nga solistja shumë e talentuar Saranda Mehmedii, dhe si gjithmonë i gatshëm për të madhëruar manifestime të tilla, dhe për të argëtuar të pranishmit, këngëtari i mirënjohur kërçovarë Dervish Dervishi me djalin e vet Argëtonin, kënduanë këngë kreshnike, për burrat e kësaj ane, që dhanë jetën për çlirimin e atëdheut.

Me shumë keqëardhje më duhet të shpreh edhe të kundërtën e së mirës, pra, të keqen! E keqja është ajo se; në Kërçovë vitin e kaluar, vetëm aksidentalisht nëpër akset rrugore, nga shkaqe të ndryshëm, si nga shpejtësia e tepëruar, konsumimi i tepërt i alkoholit apo ndonjë shkak tjetër, humbën jetën tetë persona, që u takojnë grupmoshave të reja, nën 27-të vjeçare, githashtu kjo komunë numroi edhe 66 lehtë dhe 26 rëndë të lënduar!

Pra, nga kjo që lexuat, mund të vlerësoni, se çfarë ishte viti 2013 për Uskanën e lashtë, e cila brënda një viti, pat shumë gëzime, por, mjerisht derdhi edhe shumë lot`! Neve si qytetarë s`na mbetet kurgjë tjetër, vetëmse të urojmë dhe të shpresojmë, që në të ardhmen, në asnjë vend tjetër, por, as në Kërçovën tonë, të mos ndodhin ngjarje të tilla tragjike që sjellin lot`, por, shëndet, punë, sukses, gëzim, përparim, e kështu me radhë.
Kërçovë, më 23. 01. 2014