>
BIOSHQIP
Biografia
Valentin Veizi është një prej kompozitorëve më të suksesshëm në Shqipëri, disa herë fitues çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai fitoi dy herë rrjesht Festivalin Kombëtar në vitet 1996 dhe 1997 me këngë të kënduara nga Elsa Lila.
Ka mbaruar Akademinë e lartë të Arteve (Dega Kompozicion) në Tiranë.
Midis viteve 1984 dhe 1989 Veizi shërben si profesor muzike në Gjimnazin e Beratit.
Në Mars të vitit 1984 Valentini bën hapat e para në krijimtarinë e tij muzikore me disa këngë të transmetuara në RadioTelevizionin Shtetëror.
Për herë të parë në skenë paraqitet në "Koncertin e Pranverës" të vitit 1995 me këngën "Ne dhe Deti".
Një vit më vonë Valentini fiton vendin e dytë në Festivalin e Këngës me "Erdhi Pranvera" të kënduar nga Kozma Dushi.
Në vitet në vijim Valentini merr pjesë në konkurse të ndryshme dhe prezanton Shqipërinë suksesshëm në disa veprimtari ndërkombëtare. Ai do të drejtonte artistikisht "Ansamblin e Këngëve dhe Valleve" në konkurrimin në Stamboll të Turqisë. Gjatë viteve 1990-1993 Valentini drejton Seksionin e Muzikës në qytetin e Beratit. Ai është edhe Drejtori Artistik i aktivitetit muzikor të këtij qyteti. Gjatë viteve 1994-1996 Veizi punon si specialist i muzikës për Institutin e Folklorit dhe merr pjesë aktive në festivale të ndryshme të muzikës popullore, ndër të cilët edhe i mirënjohuri "Festivali Folklorik i Beratit". Ndërkohë ai vazhdon të shkruajë këngë të muzikës së lehtë si dhe muzikë për drama dhe komedi, simfoni për orkestër, etj.
Midis viteve 1996-1998 Valentin Veizi drejton aktivitetin muzikor të "Kishës Rilindja" në Tiranë. Gjatë punës në "Kishën Rilindja" ai publikon edhe një album me këngë adhurimi të titulluar "O Zoti Ynë" në vitin 1993. Njëkohësisht kompozon, midis të tjerash, edhe një poeme simfonike të titulluar "Legjendë për Ilirët"
Gjatë vitit 1996 ai zbulon zërin e Elsa Lilës dhe e tërheq këngëtaren e re nga skena e Festivalit të Fëmijëve për në skenën e madhe të Festivalit Kombëtar. Aktiviteti i palodhur muzikor i Valentin Veizit njihet dhe shpërblehet plotësisht në "Fest '96" kur ai fiton bujshëm vendin e parë me këngën "Pyes Lotin" të kënduar nga Elsa Lila. Suksesi i dyve Veizi/Lila do të përsëritet një vit më vonë me këngën "Larg Urrejtjes" e cila gjithashtu rrëmben vendin e parë në 'Fest '97"
Në vitin 1998 Valentin Veizi fiton vendin e parë në festivalin ndërkombëtar "Discovery '98" në Vrana të Bullgarisë. Dhe vendin e dytë në konkurrimin tjetër "Voice of Asia".
Me këngën "Mall" të kënduar po nga Elsa Lila, Veizi hyn në Finalet e konkurimit "FIDOF" në Los Angeles, Kaliforni.
Ndërkohë Valentini jeton pranë Boston, Massachusetts në Shtetet e Bashkuara me bashkëshorten Pranvera Veizi (artiste e trupës së Estradës së Beratit) dhe fëmijet Erli dhe Dëbora.