>
LETERSISHQIP

Letra

Një letër po të shkruaj,
Me dhimbje dhe me mall,
Me fatin tim mos luaj,
Pa ty, hiç, s'jam gjallë!

Se shpresë të kem vazhdoj,
Ndaj zemra më troket,
Do heshtë, e do pushojë
Pa ty, ajo e shkretë!

Dhe netëve, e kujto
Një çikë, mikun e vjetër
Dhe rrugëve, mos ngacmo
Me sy, ti ndonjë tjetër!

Se sytë shpesh gënjejnë,
Kur, gjetkë, gjejnë shkëlqim
Por a munden të shkëlqejnë,
Kur hapin, varrin tim!?

I tëri të jam falur,
Dhe i joti, do të ngel
Por fati im, i varur,
Qëndron në një çengel!

Ndaj lutem, ndërmend ço
Që larg, mikun e vjetër,
Dhe rrugëve, ti mos shko
Për dore, me një tjetër!