>
LETERSISHQIP

Pa Një Shpresë!

Mirëmëngjes moj mikja ime,
S'po më jep një shpresë tjetër?
Apo në gjumë, në ëndërrime
Të shfaqet prapë mik i vjetër!?

Mos ndonjë puthje tu kujtua,
Një rrahje zemre në rini?
Dhe s'të shkon mendja tek mua,
Por dikë tjetër mendon ti!

Me mendime, sa të marra
Nata shpesh, kokën e mbush
Drejt meje, s'bën ti përpara
Të tërheq nga larg dikush!

Dhe kur nata zë të bie,
Fytyrë e tij, të del në gjumë
Kokën mbrapa ti e shpie
Edhe sytë i heq nga unë!

Veten pyes, gjithë ditën
Pse për mua, zemra s'të rreh?
Po kush yllit ia sheh dritën,
Kur një diell shkëlqen endé!?