>
BIOSHQIP
Biografia
Vaso Papaj është lindur në Tiranë në janar 1945.
Shkollën e mesme e ka kryer në Durrës dhe në vazhdim është diplomuar në degën e Matematikës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në vitin 1968.
Që atëherë i ka provuar të gjitha llojet e profesioneve:
Edhe punëtor edhe ekonomist, edhe tornitor edhe matematicien, edhe Kryetar Këshilli Rrethi edhe Prefekt, edhe i papunë edhe Drejtor Rajonal Arsimi.
Vetëm mësues, kurrë.
Në vitin 1969-1970 ka shkruar romanin “Një Dimër mes Dimrash” ose “Romani i murosur”, vërtet i murosur, për më shumë se 20 vjet, i çmurosur në vitet e demokracisë dhe botuar dy herë: më 1995 dhe më 2006.
Ka përkthyer nga italishtja romanin “Ylli i mëngjesit” i poeteshës së njohur italiane Ada Negri, botuar më 2008, si dhe “Kasta” (Dosjè) të gazetarëve italianë Serxho Rico dhe Gian Antonio Stella botuar me puntata në gazetat lokale “Dyrrah” dhe “Sintagma”.
Në vitin 2011 boton vëllimin poetik “Mbeta mik me shpirtin”, në vitin 2012 vëllimin poetik “Një tjetër diell” dhe në vitin 2013 vëllimin poetik “Koncert nën narkoze”.
Po punon për një tjetër vëllim poetik me titullin provizor “Hasta la vista”.