>
LETERSISHQIP

Kaltrinë

Kaltrinë,
Të kalon bukuria pyllit të syve të zi pa frikë.
Zbret ijeve dhe më ngjan një ëndërr.
Je më e çuditshme se çdo tjetër çikë,
Një këngë sirenash, një rast,
Ndoshta i fundit.
Të shikoj vëngër.


E kam vdekjen dhe jetën nëpër duar,
Me truket e mia prej të moshuari denjësisht:
Nëse do të isha njëzet vjeç, do t’isha përvëluar,
Do t’isha hija jote, marrëzisht.


E po të kisha të dyzetat,
Si diell do të t’puthja mbi kurriz,
Po ja që qenkam,… ha-ha, mbi gjashtëdhjetë.
Ndaj mos kij frikë, kurrë s’do të t’bezdis:
Do të rri të shoh si kaltëron
Tërë kripë, me shkumë, mbi det.


Kaltrinë,
Të kalon bukuria atij pylli dhe aty fshihet.
Kërkon të shtrembërojë këngën time,
Të djeshmen, të sotmen, për jetë.
E gjithë bukuria dhe gëzimi yt qenien ma bën të dridhet,
Kur valët i le pas, gërsheta kur hidhet përpjetë.


Kaltrinë,
Forma e trupit tënd dhe diellin ma vjedh.
Është drita mahnitëse e perëndimit.
Në qendër të kohës dhe të përjetësisë më hedh
Zbuloj aty magjinë tënde të rrezatimit.


Kaltrinë,
S’kam frikë se do të vdes,
As dëshirë për një fillim tjetër.
Kam frikë
Mos të tjerët e mendojnë dashurinë si një ves
Dhe poetët i mallkojnë si lugetër.


S’do të t’shoh më,
Por edhe s’do të t’humb.
Bukuria që më ikën,
Në këmbim ndonjë shenjë do t’ma lerë.
Dhe shenja do të jetë e rëndë si plumb,…
Po me vargje do ta mbledh edhe këtë herë.