>
LETERSISHQIP

Ti Je Engjelli Im

Ç’emocion provoja, sa herë në krahë më ngrije.
Aroma jote nënë, thesar i rrallë në botë.
Si prehesha aq thellë, në sytë e tu plot hije,
Ngulitur fort i kam, në mendje edhe sot.

Në dimrat e pafund, në atë bodrum me cikma,
Jorganin ma tërhiqje, gjithnjë më lart’ mbi sytë.
E nëse qielli i egër lëshonte zjarr dhe klithma,
Në shtratin tënd të ngrohtë, me gaz më fusje zhyt.

Ma kishe bër’ zakon, të zgjohesha me gjelat,
Të përsëritja lëndët e ditës në vijim.
Më rrije përmbi kokë, më krihje kaçurrelat
E m’dukeshe gjithmon’ si ëngjëll në fluturim.

Në ndihmë të cilitdo të shihja, nëna ime.
N’atë rrugicë të bardhë buronte dashuri.
Kalove kohë të errta, mëngjese pa agime.
Më shumë se ëndërra moshe, ti njohe pleqëri.

Ngujuar syt’ andej, rrugicës nga ku vija.
E dëshiroje shumë të isha unë dikush.
Kur koha më largoi me vite nga shtëpia,
Me letra të melhemta plot një sirtar m’u mbush.

Po sot atë sirtar me çelës e kam mbyll.
Nuk dua, fëmijët e mi të kthehen tek e vjetra.
Kur portat na i mbyllën, me nga një vulë mbi dyll
Dhe unë vajtoja gjatë nga njëra port’ te tjetra.

Nuk dua të të kujtoj si ëngjëll në lartësi.
Nuk dua të të shoh me thinja, me të zezë.
Fotografinë e vajzërisë e mbaj mbi skrivani.
Përher’ mirësi dhe forcë më jep, më rrit shpresë.

Ndaj sot, ngado që shkoj, të mbaj te syt’ si shpresë.
Si ëngjëll më qëndron mbi kokë gjithnji.
Kështu do të t’mbaj mënd, gjer ditën që do t’vdes
O këngë e jetës sime, ninull në përjetësi.