Vaso Papaj Poezi
Vaso Papaj

Tema: Poezi Për Fenë e Krishterë


At Zef

At Zef,
Kur do të kthehesh përsëri?
Dua të ta prek zemrën,
Të më mësojë të rezistoj,
Të më thotë dy fjalë nga ti.
Për flamujtë, At Zef:
Flamuj ndër xhepa, flamuj ndën xhaketa,
Flamuj lidhur ndën jaka si kravata,
Flamuj tregtarësh, me yll, me yje, me sopata…
Në histori çfarë nuk ndesh…
Për të na vrarë shpirtin
Dhe ti, me dhimbje, qesh, qesh,
Vetëm qesh.


At Zef,
Ku shkoi flamuri mbi kambanore
Ditën e pare të “lirisë”?
E kuqja, ku u u zbeh?
Shqiponja pse fluturoi mbi Cukal?...
Më mëso si të rezistoj, si të bëhem mal.
Një flamuri, vetëm njërit, At Zef,
Atij tëndit, valëvitjen mos t’ia ndal.


Kur do të kthehesh përsëri,
Të më thuash:
Bir, qofshë bekue!
Mos është koha ta valëvitësh në dritë,
Atë që gjer sot e valëvite në shpirt?...


Atëherë, të pres At Zef.
E kam mësuar lodhjen tënde nga ai rrëfim i gjatë
Po qeshja jote më bën dhe mua të qesh,
Udhëtimi i atdheut nuk mbaron me kaq.


Ndaj ti do të kthehesh një ditë, At Zef,
Dhe shpirtin tënd në shpirtin tim do ta ndjesh,
Forca jote e dashurisë është pranverë,
Forcën time do ta rilindë,
Përpara do ta shpjerë.


Kur do të kthehesh, pra?
Ta fitojmë të ardhmen bashkë, të dy.
Siç e fitoi e mira jote të keqen,
Po të thërras, At i shenjtë...
Po të thërras ty!...
Eja edhe pse, asnjë dyshkë nuk ke pasur kurrë
Dhe nuk do të kesh.
Sill shpirtin, At Zef.
Drita e shpirtit tënd do ta verbojë të keqen
Mes nesh.


• At Zef Pllumit që “rrnoi për me tregue”

- Poezi nga Vaso Papaj



{{ risposta }}
Mesatarja:  {{ nStars }} / Votuan:  {{ nVotes }}

Komente 0