>
BIOSHQIP
Biografia
Fëmijërinë dhe rininë i kaloi në qytetin e Durrësit. Pas studimeve universitare ne Gjuhë-Letërsi, punoi mësues letërsie, gazetar dhe përkthyes. Ai gjithashtu ka punuar për kujdesën e fëmijëve në një fshat të SOS-it. Në vitet 70 publikonte poezi dhe vjersha të shkurtra. Ndërsa në fillim të viteve 80 botoi librin e tij të parë për fëmijë, duke ndjekur me botimin e tij të parë për të rritur në vitin 1989 me anë të cilit fitoi edhe një çmim kombëtar. Pas rënies së komunizmit, Canosinaj doli si një prej autorëve më popullor të Shqipërisë në botimin e librave për fëmijë dhe të rinj. Aktualisht jeton në Tiranë dhe punon për Parlamentin shqiptar, por duke ia kushtuar pjesën më të madhe letërsisë. Një nga librat më të famshëm ka qenë "Meriyll"-i.

Viktor Canosinaj e nisi aktivitetin letrar në moshë të re, duke botuar vjersha e tregime e duke fituar në moshën 14-vjeçare çmimin e parë në një konkurs kombëtar letrar organizuar nga Radio Tirana. Libri i tij i parë, një novelë për fëmijë, u botua në vitin 1981. Në vitin 1984 u pasua nga një roman me temë historike po për fëmijë. Në vitin 1989 botohet romani i tij i parë për të rritur “Katër yje në qytet”, i cili fitoi çmim kombëtar dhe tirazhi prej 8000 kopjesh u shit brenda një kohe të shkurtër.

Pas një ndërprerjeje prej disa vitesh, Viktor Canosinaj i rikthehet përsëri letërsisë, kryesisht në romanin për të rritur dhe për fëmijë. Ai ka botuar 12 romane romane për të rritur, mes të cilëve spikasin “Një copë tokë nën qiell”, “Vajza përtej murit”, “Mallkimi i grave”, Pianistja belge”, “Vite blu”, “Engjëjt nuk zbresin në tokë” dhe rreth 20 libra për fëmijë e të rinj, shumë prej të cilëve, me në krye romanin “Meriyll”, vazhdojnë të qëndrojnë bestseller në treg.

Ka fituar çmimin e Ministrisë së Kulturës për librin më të mirë për fëmijë e të rinj në vitet 1996 dhe 2002. Romani i tij “Meriyll” është renditur në Listën e Nderit të IBYY-t për vitin 2002. Pas një anketimi të kryer nga UNICEF-i, Lëvizja “Mjaft” dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë, në vitin 2006, Viktor Canosinaj u shpall shkrimtari më i lexuar për fëmijë e të rinj. Në vitin 2009 u shpall autori më i lexuar nga biblioteka komunale e Prishtinës.
Në vitin 2008 mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Librit në Berlin.