>
LETERSISHQIP

Në T’Errët Bota E Vjetër

Mjaft o tallaz, de, mjaft! Pa zbrit, se s’të shoh dot.
Kurrë ndonj’herë s’je ngritur kaqë sa sot.
Po ç’ke, vallë, që dukesh kaq i ngrysur, i nxirë?
Përse këlthet kështu së thelli si egërsirë?
Përse ky shi i fortë, ky rrebesh e ky terr?
Kjo shqot’ e zezë, e marrë, që sokëllin si Ferr?
Vala jote po ngjitet lart e më lart gjithmonë!
Qëndro! Mos shko më tutje! S’ke lejë! Ndal të thonë!
Ligjet e vjetra, frenat, të vjetërat kufi,
Injorancën, mjerimin, hiçin, – këto qeli,
Këto burgje të shpirtit, ku vdes e fundmja shpresë,
Edhe gostin’ e madhe ku horat s’kanë pjesë,
Gjith’ supersticionet, fatalitetet krejt
Dhe pushtetin e burrit mbi gruan drejtpërdrejt, –
Sakën! sakën se i prek këto të shënjta gjëra!
Pa zbrit aty dhe hesht! Këto mure të gjëra
plot kulla, i ndërtova rreth mbarë njerëzimit.
Po ti gjith ulërin! Gjith çohesh prej tërbimit!
Çdo gjëje po i turresh me sulm e me vërtik:
Vate ungjilli i vjetër, vate kanuni antik!
Trekëmbëshi vala jote e shëmbi, e gllaburoi.
Mos, mbretin! Mzos e prek! – O qiell! E rrëzoi.
Mos, njerëzit e shënjtë! Mos, priftin! Mos, gjyqtarin!
Ndalu të thonë! – I fshiu të gjithë, u bëri varrin!
Zoti të tha: – Tallaz, më tutje ti mos shko!
Po ç’është kshtu? O Zot! Po mbytem! Obobo!
Deti s’po bindet, deti po shfryn me gjëmë e dhunë.