>
LETERSISHQIP

Si Në Kohërat E Kolerës

Si në kohërat e kolerës kur jeta plaste si flluskë,
Hidhni mbi varrin tim gëlqere të pashuar,
Më mirë zift hidhni mbi sytë e mi,
Më ngrohtë do të rrinë,
Më duhen, rrugën për të vazhduar.

Të kërkoj e të kap fjalët mbështjellë erës,
T’i qëmtoj si zogjtë grurin, e bukën e tyre të zbuloj,
Se ti harrove të më flasësh, kur ike me pranverën,
Dhe sytë tani mua më duhen, por pa lot.

Ti ike indiferent dhe rrugët i more me vete,
Si në tërheqje pas një bombardimi të ri e të rëndë në Evropë.
Dhe urat i shkatërrove gjer thellë shtretërve të lumenjve,
Që kurrë të mos ringriheshin, sikur nuk kishin ekzistuar ndonjëherë në botë.

Dhe sytë më duhen mua tani,
Mbuluar nga zifti, që do t’i mbajë ngrohtë,
Se bukën fjalëve të tua kërkoj ta zbuloj,
Edhe pse e di që gjithçka është e kotë.
E hënë 13 shkurt 2012 ora 15:00