>
LETERSISHQIP

Në Studion E Shpirtit Tënd

Dora jote ngjyrat e jetës hedh në fletë,
Të zymta... të bardha...
Trishtuese... ëndërruese...
Çdo çast, çdo ditë.
Ngrohtësi e shpirtit tënd,
Gjallëron shpirtrat e etur për jetë.

Ti je diku,
Mes zhurmës,
Qetësisë,
Luftës,
Paqes,
Ëndrrës dhe zgjimit.

Unë jam këtu,
Ndryrë në studion e shpirtit tënd.
Ledhatoj ngjyrat me dorë të dridhur,
Ja, grija,
E bardha,
E kaltra qiellore.

Më tej bluja,
E kuqja...
Shiu i lotëve më vesh sytë.

Ti je diku,
E unë këtu,
Në studion pa mure të shpirtit tënd.

Jo se nuk mundem të harroj,
Po nuk dua.
Le të ecë koha.

Dielli pa ty nuk di të buzëqeshë.
Hëna pa ty zbehet, zbehet.
Nata errësohet, errësohet.

Nuk dua të harroj,
Jo se nuk mundem!!!

Nuk vrapoj ta hap atë zarf.
Ti je aty. E di! E di!
As atë letër ta lexoj, nuk vrapoj.
Ti je Ajër, Dritë, Diell, Dashuri!

Sytë e mi shqyejnë errësirën.

Fryma jote e dridhshme,
Shkrin akullin e ngrirë mbi zemrën time.

Dhe unë,
Ndryrë, në studion pa mure të shpirtit tënd.
E mërkurë 21 dhjetor 2011 ora 12:12