>
LETERSISHQIP

Në Altarin E Pafajësisë

Përse të vranë, Dezdemonë,
Engjëll pafajësie,
Që ngjyrat nuk i njihje?
Dëlirësia jote endet nëpër ajër,
Për t’i sjellë botës mesazhet e paqes,
Dhunuar egërsisht nga buzëqeshje hijenash.

Zemërdashuruar të ndanë nga jeta,
Thëngjijtë e shpifjes ti i shove me gjak.
Po nuk ndryshohet bota nga pafajësia jote,
Ti lexon në zemër,
Po nuk sheh përqark.

Buzët t’i mbylli shkëlqimi i mprehtë,
Ty të dënoi fajtore pa faj.
Po rrahjet e zemrës s’do mund t’i pushojë,
Që, virtytin vuri në të pafajësisë altar.

E enjte 1 shtator 2011 ora 15:30