>
LETERSISHQIP

Një Puthje Rrëzuar Në Asfalt

Një puthje rrëzuar në asfalt,
Qullur shirash dhe erërash fshikulluar,
Shkelur nga të rënda këpucë, pa mëshirë,
Aromën e blirit kërkon përgjëruar.

Atij bliri, buzë trotuarit të ndarjes,
Ku kurrizin mbështeste nën gjelbërim,
Duart e nxehta i ndiente mbi supet e brishta,
Dhe ankthin e puthjes për një ritakim.

Tani, e vetmuar, tretet ajo puthje,
Buzë asfaltit, ku lulëzonte një bli,
Ajo puthje, përvëluar në asfaltin e nxehtë,
Me sytë e butë... kërkon përsëri...
Pak aromë nga i blerti bli.
E premte 19 gusht 2011 ora 22:15