>
LETERSISHQIP

Valsi Ynë

Atij horizonti, përtej,
Ku qielli me detin puthen ëmbëlsisht,
Je ti.

Në vals të ftoj, më the qetësisht,
Fustanin, që më bukur të rri,
Vishe,
E unë të pres,
Së bashku t’i hedhim hapat e lehtë,
E më vonë i shpejtojmë... kushedi!

Unë qiellit ia mora kaltërsinë,
E valës buzëqeshjen e bardhë i mora,
I enda fustan me fijet e shpirtit tim,
Mbi trupin e brishtë e hodha,
E pafajësinë time mbulova me të.
E varfër ish garderoba ime.

Yjet zunë vend në fustanin e ajërt,
Mbi gjoks ndriçuan çmendurisht.
Po harruan dritën për fytyrën time,
Prandaj nuk më njohe, e di.

Përdore ne ecëm në terrin e verbër,
E valsin lehtë nisëm të dy,
Hapat shpejtuam nën psherëtima flurore,
Por ti, ti, nuk më pe dot në sy.

Me yjet jam zemëruar shumë,
Të gjithë do t’i flak nga fustani im.
A do të më njohësh në errësirë?
Do ta kuptosh timin belbëzim?
E enjte 18 gusht 2011 ora 21:00