>
LETERSISHQIP

Muzg’ I Mbrëmjes Ësht’ I Bardhë

Mos më thirr! Nuk dëgjoj dot.
Rrugësh thyhet zëri yt.
Dallgëzon brigjesh të larta.
Humbellon humnerash thellë.

Mos kërko! Nuk më sheh dot,
Përtej asaj vije drite,
Labirintesh të nëntokës,
Po prek muret e mosqenies.

Mos më fto! Nuk vij, s’jam kund.
Ftesa jote humbet larg,
Shkretëtirash përvëluese,
Thellësive të paana.

U tremb reja, iku larg,
Dritëdiellit verbuar.
Lere kalin të vrapojë,
Le ta zërë nata rrugës.

Të ngrira ditët e mia,
Drejt shpërbërjes dalngadalë.
Ktheja kalin vrapit tënd,
Muzg’ i mbrëmjes ësht’ i bardhë.

Një pikë ujë në shkretëtirë,
Mos ma jep, s’më shuan dot.
Le të digjet, të shkrumbohet,
Buzë oazesh tharë sot.

Eja, ti, vrapo me mua,
Ta arrijmë atë kalë.
Ta mbash fort shtrënguar frerësh,
Sa të vij’ agim’ i bardhë.

T’ia shkulim bunkerët mendjes,
Rrënjët t’ua nxjerrim lart.
Ta shikojmë dritëdiellin.
...
Ah! Po ti je tepër larg!
E mërkurë 14 prill 2011 ora 02:30