>
LETERSISHQIP

Peshorja E Jetes

Meditim
Ti dhuron të munguarën tënde:
Dashurinë, besën, miqësinë dhe shpresën.
Ty këto dhurata s’t’i ofroi kush.
Kush t’i mbajti peng, për cilin faj tëndin?

E lënduar ulesh buzë një trotuari.
Të revoltuarën fillon ta përtypësh ngadalë...

Pse t’i japësh krahun këtij plaku të thinjur?
Fshin lotët dhe e ndihmon të mos bjerë.
Pse ta ngresh fëmijën, që u rrëzua?
Buzëqeshja ta ndrit fytyrën, ia fshin gjunjët e çjerrë.

Peshores ia sheh si i lëkunden krahët.
Shtyje tutje, lerja ndryshkut të kohës.
Ti ke peshoren e padukshme të shpirtit.
Me të ke peshuar dashuritë e botës.

Ti ngrihesh nga trotuari, plaku të jep dorën,
Dorë miqësore të tillë s’ke prekur shpesh.
Fustanin nga pluhuri ta fshin fëmija i vogël,
Buzëqeshje trëndafili s’ke parë ndonjëherë.

Pas kurrizit tënd, para gjunjëve të tu,
Jeta gjallon e gjurmë lë kudo.
Dorën ta zgjat plot ëmbëlsi,
Ti e rrëmben e përfshihesh në të.
E hënë 5 korrik 2010 ora 17:20