>
LETERSISHQIP

Më Bëni Të Bukur

Ndihmomëni, ju lutem, ta vesh gëzimin tim...
Bëmëni, ju lutem, vetëm për një çast, të bukur...

Unë të pres mbështjellë me trishtimin e ftohtë,
Në skajin e harruar të botës mure verdhë,
Ku fjalë të përdala të një kohe të marrë,
Erë e çmendur m’i uturinte me kamzhikë në veshë.

Ti vjen tek unë dritë e viteve të ngrira,
Një copëz kaltërsi ma shtrin mbi mermer,
Dy portokaj m’i lë në grushtet e mbyllura,
Dhe hënën, më të florinjtë, mbi sy ma zbret.

Si ta vesh fustanin tim të bardhë? Si ta vesh?
I ngushtë ky shtrat, më shtrëngon tek supet.
Ndihmomëni, ju lutem, ta vesh gëzimin tim,
Bëmëni për ty, i dashur, vetëm për një çast, të bukur.
E premte 18 korrik 2014 ora 22:30