>
LETERSISHQIP

Ah, Po Më Vret!

E ndjeva! Ti po më vret!

T’u luta, t’u përgjërova,
Luftova, faqet çorra e flokët shkula, në mbrojtje,
Në gjunjë të rashë, gjoksin rraha, u shtriva në gjol,
Pas hijes tënde zvarrita plagët e thella.

Ulërimat e mia, blasfemi luaneshe në grahma, i dëgjoi veç xhungla,
Turma e zogjve, gjysma duke rënë e vdekur, fluturoi e tmerruar.
Tinëzisht më pe, skërmite dhëmbët milingona,
Lakun e qafës më fort ma tërhoqe, më fort.

Theva gishtërinjtë, litarin shkula prej fytit,
Me dridhje ngërçi, kokërdhokët sy nga pluhuri ngrita,
Ia ngula kafkës nën ballë,
Penën kapa.
Ah, e pamëshirshme!
Po më vret,
Rënkova përsëri!

E mblodha guximin në grushtin e dobët,
Kraharorin fort godita me të,
T’i them, shpërtheva, të pathënat, të gjitha,
Që buzët më dogjën, dhe xhanin.
Që ranë mbi ty, i dashur, kristale bore.

Shpirtin tim copëtova në fjalë,
Fjalët në gërma shpërndava për ju,
Sërish i mblodha në buqetë zemre,
Botës t’i them: jam ende këtu.
Me Muzën time përqafuar!
Të vetmen perëndi!
E diel 4 gusht 2013 ora 01:10