>
LETERSISHQIP

Shën Valentini Im

Në gurin e bardhë të kilometrit infinit,
Në kthesën e shtegut me hyrje pa dalje,
Kokën kërrusur mbi gjoks një murg,
Nga xhepi i trishtimit nxjerr lulen e bardhë.

Kam frikë t’i flas. E prek në sup.
Sytë përhumbur fshehur i mban,
Dy petla trëndafili ai ia fal erës.
Të hesht, tmerr. Guxoj një fjalë:

Kujt ia dhurove petlat e vyshkura,
Të degë kalburit, rrënjë shkulurit trëndafil?
Koka, e rëndë, i varet mbi zemër,
Pëshpërit: jam i yti i vetëm shën Valentin!!!

Mbi gurin e bardhë të kilometrit infinit,
Pikëllimin trëndafil e preka me kujdes.
Lutem, i dashur, që bashkë me cicërimat,
Dora jote ta marrë nesër në mëngjes.

Kapërdije distancën e akullt të ankthit,
Semaforët e kuq pingulë të vetvetes, janë veç vesë,
Mos zbrit nga krahu i brishtë i asaj ëndrre të kaltër,
Mbamë dhe mua, të lutem, mbamë, të mos zbres...

Unë pres... pres...
Të pres...
E premte 13 shkurt 2015 ora 11:00