>
LETERSISHQIP

Në Lotin E Kthjellët

U zbardhën vitet mbi flokët e mi,
Koha sekondat m’i shuan ngadalë,
Kujtimi i vetëm më zbret në prag sy,
I qetë, fisnik, qengj i bardhë.

Ti je lulja e kuqe,
Në varkën e argjendtë,
Sytë e tu, yje, ndriçojnë qiellin pus,
Toka, detet, oqeanet, janë të tutë,
Më tha dikur fjala jote e trëndafiltë,
E aromëtë,
E blertë,
Që freskon,
E pafajshme, e sinqertë,
Ajër,
Fllad,
Melodi,
Lule e brishtë mëngjeseve vesore,
Ishte ajo, fjala jote.

Tyl të bardhë dashurie më le në duar,
Gjithë botën mbështolla me të kaq butë,
Me të sotmen e lidha me fill të florinjtë,
Gjumë në sy, i dashur, të mos kisha kurrë.

Gojëkyçur shkeli jeta shtegun e vet.

Dorën e djalit e ndiej në sup,
Kokëkaçurrelen e vajzës në gjoks:
Zgjohu, më thonë me sytë e bukur.
Unë buzëqesh përmes një të kthjellëti lot.
E shtunë 25 tetor 2014 ora 23:30