>
LETERSISHQIP

Tabu Pagane

Kudo të kërkova me heshtjen time pëshpëritur,
Rrugëve plot gjurmë, që mbetën memece,
Kohësh të largëta u enda e të sotme,
Balli i pastër m’u vra prej të pavërtetave.

Vrojtova labirinteve të erërave të jugut,
Ato, të çmendura, kanë mbetur pa sy,
Gjethja e shelgut tonë u rrëmbye ujërash të turbullt,
Zë s’e bëra dot, i dashur, për të të thirrur ty.

Mbi flokë më bie dëbora e fundit,
Bebëzave mbërtheu trishtimi pancirin e tij të zi,
Besa bastun, në udhët me diell, me shi, me mjegull,
E pathyeshme, njësh me zemrën e lodhur,
Që dhimbje pa tingull pulson në agoni,
Le t’i mbyllë gojë çapëlyerat e botës.

E t’u hapë rrugë kohëve të blerta,
Heshtje plagosura prej shtizës në gji,
Fjalëve t’u thotë, që u shkrumbuan në fyt:
Besën, tabú pagane, s’ma thyen asnjë mërí!

E mërkurë 8 tetor 2014 ora 19:00