>
LETERSISHQIP

Çast, Kujtim

Çasti, shkrepëtimë në të kthjellët me dhëmbë elektrikë
Terrin kafshon e zgjon kujtimin.
Mos më thuaj që ishte harruar, shuar, zhdukur.
Vetëm i lodhur, thashë ishte, i përgjumur.

Se kujtimet, si njerëzit,
Kanë ditët dhe netët e tyre.
Vite kalojnë, kalojnë dekada,
Ato si fëmija, rriten, flenë qerpik ulur,
Në zemër xhelozisht mbeten flakëruar,
Dhe zbehin të urrejtshme realitete të varfra.

Nga dita e lindjes në pranverë,
Kur agu tha, jam prilli i luleve,
Gjer tani në vjeshtën e ngjyrosur,
Mbështjellë është si kulpër lidhur pas shpirtit.

Zemra hap qepallat e kuqe,
Ndritin figurat, që syve të gjallë u fshihen,
Nën rrezen e diellit.
Ky çast, rrufe kujtimesh
Në mesditë arriti, të së martës,
Në të vetmen orë të saj të mirë.
Kujtimi është shpirt,
Jeton me peshë jete e shpirti.

E shtunë 6 shtator 2014 ora 09:15