>
LETERSISHQIP

Qesh Verdhshëm

Ajo vetmi kishte ftohtë, natë janari ish, e mardhur,
Perdja e hollë fërgëllonte, rënkonte, përpëlitej mbi xhama.
Sytë m’u ndeshën me apatinë, ishte krejt e verdhë.
Lërmë, i thashë, nuk dua. Gishtërinjtë e këmbëve më preku lehtë,
Pastaj u ngjit... Oh, nuk dua! Nuk dua!
Ajo, e pabindur, gur i rëndë më peshoi mbi stomak. Nuk...
Krahët m’u varën plumb, plumb, zëri m’u tha.
Mjaft, tha ajo. A kupton, o e marrë? Mjaft!
Nuk dua, rënkova në agoni. Dhe ty do të të vras, ta dish.
Natë e ftohtë janari futet nga dritarja tinëzisht.
Apatia qesh verdhshëm.
E hënë 12 gusht 2013 ora 02:30