>
LETERSISHQIP

Hapma Derën Zonja Mëmë

Edhe sivjet, moj nënë,
nga mërgimi i shkretë,
më dogji malli për ty.
Unë e di që ti e pritje
birin tënd të largët,
e qave fshehurazi
kur s’pate mundësi ta përqafoje.
Ndjemë, o e paharruara,
mos qaj, pse mjafton sa qave
për bijtë gjatë shekujve.
Ti e di, nënë Shqipëri,
që unë s’kam asnjë faj
nëse jetoj larg teje,
ashtu ka qenë fati i shkretë,
e është kot t’i kujtojmë hallet.
Erërat kanë fryrë mbi mua,
dëborat kanë rënë mbi mua,
si edhe mbi kokën tënde,
por përmes erërave e dëborërave
fytyra jote e largët
më forcoi e ngushëlloi.
Ti paske qenë dhurata
që nuk e bleva në pazaret,
por më vinte nga gjaku,
gjithmonë e kërkuar
te vorbulla e jetës endacake.
U krenova me legjendat e tua,
dashurova me fjalët e tua,
qava me vajtimet e tua,
E tash në buzë të së kaluarës e së ardhmes
i drejtoj ende sytë nga ti,
e prej së largu ndjek emrin tënd
dhe orvatem ta mbaj lart.
Lëri dyshimet e mos mendo
që unë do të doja të kisha
një pretendim të padrejtë privilegji,
unë do të doja vetëm të isha
biri yt, si të tjerët.
Ashtu unë e di
e i ardhur nga lufta e jetës,
unë i bie derës sate:
Hapma derën, zonja mëmë,
se yt bir jam unë, o nënë.