>
LETERSISHQIP

Të Biesh Në Dashuri

Të biesh në dashuri, është urdhër suprem në jetë,
për një kohë të shkurtër, apo relativisht të gjatë,
të shijosh në çarçafët e djersitur lumturi të vërtetë,
këtë e bëjnë në botë, të gjithë burrat me gratë...

Të dëshirosh një grua, deri te afrimi i saj fizik,
me shpirtin sakrifikues e trupin e mëndafshtë,
Të duash një burrë, me muskujt e fortë elastik,
këtë e bëjnë të gjitha gjinitë që lidhen bashkë...

Të pengosh dashnorët dhe t’i përgojosh me emra,
është t’u zësh diellin me oksigjenin e frymëmarrjes,
të shpifësh e të ngresh gracka intrige për dy zemra,
është poshtërsi e ulët, që pason rrënimin e ndarjes.

Të tradhtosh dashurinë, është pabesia më e hidhur,
për krijuesit, që të besuan e dhuruan të vetin bekim;
ke plagosur sinqeritetin, me të cilin të kanë lindur,
duke lënë partnerin, me plagë të fshehtë në përjetim.

Të vrasësh dashurinë, ke bërë krimin më monstruoz,
duke këputur zinxhirin e disa brezave të pavdekësisë,
ke ndërprerë, vazhdimësinë jetike të genit njerëzor,
të përcaktuar nga zanafilla, për arritjen e përjetësisë.

Të vdesësh bashkë me dashurinë, në përfundim të jetës,
është të kesh rilindur shumë herë, përgjatë vijimësisë,
nëpër disa shekuj ardhmërie, ku i ke zgjatur fillin vetes,
me trashëgim ngjashmërie, të nisur drejt pafundësisë.

Vetmia, trishtimi, mërzia, dëshpërimi, deri te çmenduria,
kanë vetëm një shërim të sigurt, mbi çdo kurim në mjekësi,
të provuar, nga përvojat e shumta me këto ndjesi të këqija:
Të gjesh patjetër njeriun, me të cilin, të biesh në dashuri!...