>
BIOSHQIP

Xhensila Myrtezaj: Sakrifikova Festivalet Dhe 3 Kg Për Të Qenë Pjesë E “Dance With Me”

03-10-2014
Ajo është vajza e ëmbël e skenës, ndërsa ai është partneri i shumë këngëtareve! Bëhet fjalë për bukuroshen Xhensila Myrtezaj dhe Elgit Dodën të cilët “rrënqethën” publikun me kërcimin e tyre të zhanrit “Tango”, duke u vlerësuar që në siparin e “Dance With Me”. Në një intervistë për “Shqiptarja. com”, Xhensila rrëfen emocionet e para të këtij spektakli, marrëdhënien me partnerin e saj në kërcim si dhe sfidat që i ka shpallur vetes dhe jo konkurrentëve. Në këtë intervistë, Xhensila tregon edhe për partnerin e saj të jetës, aktorin Bes Kallaku.
Pas suksesit të verës me këngën “Vespa”, ju shikojmë në spektaklin “Dance with me”. Si e shikojmë Xhensilën nga muzika tek kërcimi?

Në fakt, muzika nga kërcimi janë zhanre të ndryshme, por sërish është art dhe muzika është në mes, pasi ato hapat që jetësohen në skenë në bazë të muzikës i bëjmë. Është një eksperiencë shumë e bukur, një aventurë e re që po e shijoj shumë. Pavarësisht lodhjeve, ngazëllehem pasi janë komentet pozitive, mirënjohja e publikut dhe dashuria e njerëzve që më bëjnë të ndjehem krenare.

Si është marrëdhënia juaj me partnerin e skenës?

Me Elgitin kam një raport shumë të mirë miqësor! Elgiti është një djalë shumë i talentuar dhe nuk e kemi pasur aspak të vështirë të futemi nën lëkurën e koreografisë dhe ta zbatonim atë.

Është një sfidë për ju kërcimi?

Patjetër që është një sfidë! Unë për veten time çdo gjë të re që sjellë e kam sfidë me vetveten në radhë të parë, pasi nuk nisem kurrë për të sfiduar dikë tjetër. Dikush tjetër jam vetëm unë, dhe në çdo sipërmarrje sfidoj vetëm Xhensilën.

Kemi vënë re se vitet e fundit kemi pasur goxha prurje nga ju, si në këngë ashtu edhe në klipe...a do të vijoni me të njëjtin ritëm edhe në vazhdim?

Patjetër që ritmin në muzikë nuk do ta ngadalësoj, pasi është pasioni imi më i bukur. Madje, çdo këngë dhe sukses i kam ndarë më fansat pasi ata janë mbështetja ime kryesore.

Ju kemi parë të sillni këndshëm tek publiku si baladat, po ashtu edhe këngët ritmike...te cila e gjen veten më mirë?

Gjithmonë nëpërmjet kompeticioneve kam zgjedhur të sjell baladat e mija. Ndoshta aty e gjej më mirë veten dhe ndjeshmëria është më e madhe. Kam zgjedhur që në klipe ta sjell veten time në një formë tjetër, ndërsa festivaleve ti sjell zërin e ëmbël dhe shpirtin e baladave.

Do ju shikojmë gjatë këtij sezoni nëpër festivale?

Këtë sezon kam zgjedhur që ti përkushtohem vetëm spektaklit “Dance With Me” dhe të gjithë energjitë e mija të pushtojnë skenën nga kërcimi.

Kërcimi ju ka bërë të sakrifikoni shumë gjëra, ku një ndër këto duket se është pesha...?

Veç koncerteve, kam sakrifikuar disa kilogram. Kjo nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë diete, por për shkak të lodhjes (qesh). Madje, tani jam nën peshë 3 kg dhe me gjasa mund të vazhdoj me këtë ritëm.

Është përfolur shumë për lidhjen tuaj dhe për kurorëzimin e martesës. Keni një datë të caktuar në mendje?

Unë dhe Besi jemi shumë spontan, asnjëherë nuk ecim me plane. Di të them që, në momentin që do të ndodh që ne të vendosim datën e martesë, unë duhet të jem e lirë nga çdo preokupim në mënyrë që të organizoj bashkë me Besin dhe të mos merren të tjerët me detajet.

Nëse do të kërkonin të përshkruaje me tri fjalë Besin... cilat do të ishin ato?

Nuk ka ndonjë koncept për dashurinë! Dashuria është dashuri, nuk ka gjë më me vlerë dhe më të dashur në këtë botë. Kështu që, Besi është dashuri!
(Gazeta Express)

Xhensila Myrtezaj: Sakrifikova Festivalet Dhe 3 Kg Për Të Qenë Pjesë E “Dance With Me”