>
LETERSISHQIP

Dialog Te Guri I Vetmisë

Të pashë që hyre nga porta
Si një tinzare erdhe te unë,
Nuk trokite, por me hap të ngadaltë
U afrove e m’u ule në gjunjë.
…Dhe unë mora frymë thellë
Të vështrova ashtu në heshtje,
Në parmakun e portës u ule
Sikur të dy të mos ishim aty ne.
Një dritë rrufeje doli nga zemra
Vetminë – errësirë e ndan në dy pjesë;
Dhe vargu i poetit bëhet plug
brazdat në libër i mbush me farë
pastaj…filizi fjalë takon retë.
Por doja që ëndrra e vetmisë
Të udhëtonte shtigjeve të jetës;
Dialog me gurin të bënte
aty nën thellësinë e nëntokës,
Vetmia me ëndrrën,
me gurin të bashkëbisedonte.
Kjo ëndërr e thyer si xham pasqyre
hijezezë i ngjan shpendit Sorrë,
Vetmia njerëzore udhëve shkundet
Si gjethet e verdha të vjeshtës
Sa një ditë harron edhe puthjet.
…Dhe ëndrra
Takon engjëllin e bardhë,
atëherë vetmia bën dialog
me heshtjen te guri i vdekjes.