>
BIOSHQIP

Ylli Baka: U Jam Borxhli Fansave

13-03-2012
Ai sot ka një emër të lakuar pozitivisht, për zërin, por edhe për pjesëmarrjen në shumë koncerte, aktivitete apo dasma. Të gjitha këto kanë bërë që në këtë kohë që po flasim Ylli Baka është një këngëtar korrekt dhe shumë i mediatizuar. Ky mediatizim ka filluar në përmasa të mëdha sidomos gjatë këtyre 7 viteve të karrierës së tij të vrullshme. Ai është tashmë një nga këngëtarët më të paguar në tregun muzikor shqiptar. E themi plot bindje se aktualisht në rrethet muzikore dhe më gjerë flitet për emrin e tij si një këngëtar i afirmuar në botën muzikore, e sidomos përsa i përket muzikës popullore të jugut Vetë Ylli është i kënaqur si këngëtar dhe më profesionin e tij ndjehet i realizuar. Këngët e tij popullore sot këndohen nga të gjitha grupmoshat duke i kthyer disa këngë të tij në hite.

Sot shumë njerëz janë penduar për profesionet e zgjedhura, po Ylli hynë në këtë kategori?

Aspak! E them me bindje se më pëlqen profesioni im, në të cilin sot bëj pjesë. Madje, e them me po kaq bindje se jam i gatshëm që t'i shkoj deri në fund të kësaj rruge që kam nisur të bëj. Edhe nga ana ekonomike mund të them që unë si këngëtar jam shumë i kënaqur, pasi ana ekonomike është e lidhur ngushtës me suksesin. Jashtë ekonomisë mua më ka bërë të zgjedh këtë profesion pasioni dhe përkushtimi ndaj muzikës.

Çdo këngëtar ka momente të vështira. Cilat kanë qenë për ju këto?

Gjithmonë fillimet janë shumë të vështira. Në ecje e sipër gjithmonë përballesh më barriera të shumta. Çdo material, çdo këngë, çdo sukses, ka vështirësitë e veta, por ajo superohet me punë dhe seriozitet maksimal. Në çdo profesion në çdo zanat ekziston fjala popullore: "Duhet punë dhe talent". Mendoj se, po punoj me të dyja paralelisht.

Kur lindi dëshira për këngë për Yllin?

Unë kam filluar të këndoj qysh në moshën 20 -vjeçare por dalja ime në tregun muzikor shqiptar ka ndodhur para 7 vitesh. Ndoshta kam qenë një talent i lindur. Por talenti lind dhe zhvillohet sigurisht nëse di të zgjedhësh komponentët kyç të suksesit.

Vendet në të cilat këndon Ylli?

Janë të ndryshme. Dua të them se janë stinore. Në sezonin dimëror jashtë Shqipërisë, këndoj kryesisht në Evropë, në Amerikë etj., kurse në sezonin veror brenda Shqipërisë.

Për dashurinë flasin të gjithë. Ç'është dashuria për Yllin?

Për mua dashuria është diçka që ta bën jetën më të bukur dhe më harmonike, flasim këtu për të gjitha llojet e dashurive, pra për një dashuri universale.

Jeni vetë këngëtar, por keni dhe preferenca. Cilët janë këngëtarët tuaj më të preferuar?

Më pëlqen muzika popullore e mirëfilltë si e shkuara edhe e tashmja. Plus kësaj pëlqej dhe muzikën e mirëfilltë të lehtë shqiptare dhe atë kosovare. Ndërsa përsa i përket emrave nuk përmend asnjë, sepse do ketë qejfmbetje ! Janë shumë këngëtarë të mirë.

Si e cilëson Ylli vetë konkurrencën mes këngëtarëve?

Më pëlqen konkurrenca sigurisht, po flasim për atë konkurrencë që ka muzikë të mirëfilltë. Dhe më vjen realisht mirë kur ka konkurrencë, e cila gjithmonë ka marrë vlerësimin dhe respektin tim maksimal. Pa këtë konkurrencë nuk do ishim këtu, ku jemi por do binim në vetëkënaqësi. Realisht sot ka konkurrencë të dyfishtë si reale ashtu dhe të pandershme. Pjesë e jetës. S'ke ç'i bën.

Si është një ditë e zakonshme për Yllin?

Eh si është. Ndoshta disi ndryshe. Personalisht zgjohem në orën 10:00 të mëngjesit, pi një kafe me shokët ose familjen ose shpesh edhe me kolegë që mund të jenë këngëtarë, poet, kompozitor. Pastaj filloj punën.

Çfarë vlerësoni tek një njeri?

Brenda njeriut ka shumë gjëra. Personalisht vlerësoj sinqeritetin e tij. Miqësia dhe shoqëria kanë qenë dhe janë gjithmonë të pandashme në jetën time.

Si do ta përshkruanit vetveten?

Me pak fjalë… Jam njeri i thjeshtë, i komunikueshëm dhe i qeshur, korrekt në punë. Këto them unë për veten, por nuk di ç'thonë të tjerët për mua.

Shumë këngëtarë kanë dhe profesion të dytë. Çfarë do të donte Ylli n.q.s s'do të bëhej këngëtar?

Mendoj se çdo njeri sot ka dy dhe më shumë profesione. Besoj se do bëhesha poet sepse më vjen dorësh për poezi, madje gjysmat e teksteve i kam shkruar vetë.

Keni shkuar në shumë vende kush ju ka ngelur më shumë në kujtesë?

Kam vizituar shumë, por Amerika më ka mbetur në mëndje padyshim, pastaj vijnë Londra, Roma, Athina etj…Kurse përsa i përket bukurive shqiptare mbeten të patjetërsueshme,Vlora, Saranda dhe vendlindja ime Tepelena.

Muzika dhe shqiptarët, cili është mendimi juaj?

Në Shqipëri dëgjohen shumë rryma, por ajo gjë që unë njoh mirë është se shqiptarët tanimë janë kthyer të dëgjojnë muzikën e mirëfilltë popullore. Pjesa dërrmuese e tyre e bëjnë këtë dhe mund të them me plotë gojë që ato që e dëgjojnë kanë filluar ta shijojnë, sepse janë velur më pseudo-këngëtarë dhe pseudo-këngë.

Le të flasim pak për fansat?

Jam shumë i kënaqur me fansat. Madje, kam bërë edhe një këngë dedikuar atyre, sepse e meritojnë ajo titullohet: "Jeni miqtë e mi të nderit, ndaj ju them faleminderit"! Gjithmonë ato janë të pranishëm edhe në punën time dhe në krijimtarinë tim të re dhe kjo është një mbështetje e madhe, e cila më fal energji pozitive.

Ylli Baka dhe familja?

Familja ime është e përbërë nga 3 persona,1vajzë dhe 2 djem. Janë në shkollë dhe më mungojnë më së shumti fundjavave. I dua dhe më duan shumë. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera.

Çfarë janë më të interesuar njerëzit që të dëgjojnë nga repertori juaj?

Të gjitha këngët e mia janë të kërkuara, por kryesisht kur shkoj nëpër dasma preferojnë normalisht këngët e krahinës së tyre, por këndoj edhe këngë të tjera, të cilat unë i këndoj me kënaqësi.

Cili është mendimi juaj për këngën shqiptare. A është duke u modernizuar ajo dhe i plotëson kërkesat e zhvillimeve ku po futet Shqipëria?

Unë them asaj rryme që i përkas, ka prurje të shumta dhe shumë të mira në treg për muzikë të mirëfilltë. Shikojmë një shmangie të kopjimit siç ka qenë ritual i yni gjithmonë dhe kaherë. Shikojmë gjithashtu, një rivalitet të mirëfilltë kuptohet midis atyre që prodhojnë këngë të mirëfilltë dhe kush prodhon më mirë.

Jeni pjesëmarrës në shumë aktivitete, si do t'i komentoni?

Në radhë të parë kudo që kam shkuar , kam shkuar falë Zotit, punës dhe njerëzve që më kanë mbështetur duke më falur adhurimin e tyre. Më kanë mbështetur duke më bërë që asnjëherë të mos i zhgënjej në krijimtarinë time si këngëtar i tyre.

Lidhjet me librin?

I kam lënë pak pas dore. Por më pëlqejnë më shumë librat me poezi, pasi janë pjesë e profesionit. Por edhe librat e vjetër rapsodik shqiptar. Lexoj, por lexoj më shumë gjatë pushimeve.

A keni pengje?

Nuk kam kurrfarë pengu në jetë për asnjë dhe për asgjë!

Jeta e përditshme?

S'e ndjej fare ditën, ikën sa hap e mbyll sytë. S'e kuptoj as vetë! Puna jonë është intensive, koncerte, prova, aktivitete.

Çfarë planesh për të ardhmen?

Kam disa plane për të ardhmen, objektivi im është që shumë shpejt të nxjerr albumin që jam duke u përgatitur ndërkohë, edhe për dy klipe të tjera. Pra, janë disa plane në të njëjtën kohë. Koha ecën duhet shfrytëzuar.
(Albert Zholi Gazeta Telegraf)

Ylli Baka: U Jam Borxhli Fansave