30/08/2014 - 30/08/2014
/

Deri më tashti kanë aplikuar 50 këngë prej të cilave do të përzgjidhen 13 që do të jenë edhe pjesë e garës kryesore. Përpos vlerave muzikore, organizatori i sivjetmë, Valdet Sopjani ka thënë se rëndësi të madhe i ka dhënë edhe skenografisë së këtij festivali, sipas të cilit do të jetë skenografia më e realizuar

Festivali “Zambaku i Prizrenit” për këtë vit kishte shpallur konkursin për aplikim për të gjithë këngëtaret e interesuar që nga data tre të muajit korrik të këtij viti, për tu mbyllur sot, me pesë gusht. Për gjatë kësaj kohe sipas organizatorit të këtij festivali, Valdet Sopjanit kanë konkurruar një numër i konsiderueshëm i këngëtarëve.

“Deri në këto momente kanë konkurruar një numër i madh i këngëtarëve, janë gjithsej 50 deri në këto qaste. Nga këta 50 këngëtarë , do të kualifikohen një numër i madh prej tyre dhe do të zgjidhen vetëm 13 në konkurrim për natën e mbrëmjes së “Zambaku i Prizrenit””, tha Sopjani. Ai tha se për përzgjedhjen e këtyre trembëdhjetë këngëve do të formohet një komision prej tre anëtarëve, por për arsye të korrektësisë preferoi që të mos ua zbuloj emrat.

“Në festival përveç këngëtarëve që do të këndojnë dhe do të garojnë në mes vete, gjithashtu kemi menduar që të kemi edhe mysafir. Kryesisht do të jenë emra të mëdhenj të muzikës shqiptare”, tha për KultPlus Valdet Sopjani, sipas të cilit, këngëtarë mysafir të këtij festivali do të jenë: Bujar Qamili, Ramadan Krasniqi – Dani, Edita Sopjani.

Përveç ndryshimeve të shumta nga vitet e kaluara të këtij festivali, Sopjani tha se ajo që do të veçohet është skenografia e jashtëzakonshme e këtij edicioni.

“Skena e këtij edicioni të festivalit “Zambaku i Prizrenit” do të jetë e jashtëzakonshme. Lirisht mund të them se do të jetë skena më e mirë që ka pasur ndonjëherë ky festival dhe pse jo edhe festivalet e tjera. Për gjithë këtë mrekulli është përkujdesur skenografja nga Shqipëria, Domenikë Qaushaj , e cila ka përfunduar masterin në Itali për skenografi”, tha Sopjani.

Pjesëmarrësit në këtë festival do të jenë nga të gjitha trojet shqipfolëse. Sipas organizatorit të këtij festivali, nga Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse në garë Mukadize Qanga, nga Mali i Zi do të jetë Gëzim Salaj ndërsa nga Kosova, Agnesa Homaj, gjithashtu do të ketë edhe emra të tjerë.

Ky festival do të ketë një përcjellje të madhe mediatike pasi që do të transmetohet edhe në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi. Kujtojmë që “Zambaku i Prizrenit” vitin e kaluar kishte dështuar në realizimin e tij.


Nuk ka akoma asnjë votë