TEKSTESHQIP

Elmir Sejfullahi
U Nda Hena
Lyrics

Një njeri vdes, shumë të tjerë qajnë! Pse?!
Jo pse vdiq, por pse u ndanë. Vdekja nuk do të kishte dhimbje, sikur të mos ishte ndarja. E çfarë ndarje mund të jetë ajo që njëkohësisht është edhe takim?!

Ata që ecën në Rrugën e të Dashurit të tyre, thanë se dashuria nuk shtohet me takimin, as nuk pakësohet me ndarjen. Ata u ndanë për të qenë të bashkuar. Ata u vetmuan për të mos e ndier vetminë.

A ka njeri më të vetmuar se Ibrahimi, i hedhur në flakët e zjarrit?
A ka njeri më të vetmuar se Haxherja me Ismailin e vogël në mes të shkretinës?
A ka njeri më të vetmuar se Jusufi në fund të pusit?
A ka njeri më të vetmuar se Musai i vogël në mes të detit të madh?
A ka njeri më të vetmuar se Junusi në gojën e peshkut? A ka, më thuaj, a ka njeri më të vetmuar se Merjemja e kapluar nga dhimbjet nën trungun e thatë të hurmës, duke pritur ardhjen e Isait?

Në qiellin e dynjasë nuk ka më shumë se një hënë. Ajo hënë u nda në dy pjesë për njeriun më të vetmuar mes tokës dhe qiejve. Ai është më i vetmuar se të gjitha zemrat në dynja, por kurrë vetminë nuk e ka ndier. S’ka as nanë, as babë! Është rritur pa përqafimin e tyre por vetë është më i afërt se përqafimi.

Aty ku rri ai, s’ka dritë, se ai është vet Kandili Ndriçues. Nuk lexon libra, se ai është vetë Libri i Gjallë i Jetës. Nuk zbulon fshehtësitë e jetës, sepse ai është vetë Roja e Fshehtësive. Ai që mësohet njëherë me praninë e tij, në mungesë të tij, fjalët i vdesin në buzë, e dynjaja i ngushtohet.

Një trung hurme njëherë përjetoi afërsinë e tij dhe kur ai u largua, trungu lotoi. Po t’mos i afrohej përsëri, dynjaja do të notonte në lotë. Trungu qau, por jo edhe zemrat e vdekura në trupat e gjallë.
Zemrat që nuk qajnë për ndarjen nuk mallëngjehen as për takimin. Zemrat e gjalla atë e duan edhe pa e parë. Ai është udhëtari i Hixhretit që braktis vendlindjen e tij, sepse gjaku nuk guxon të pikojë aty ku buron uji i Zemzemit. Ai është luftëtari që lufton kundër luftës. Ai është udhëtari i Israsë që niset nga toka. Ai është udhëtari i Miraxhit që kthehet nga qiejt.

Duke pëshpëritur fjalët e tij, lutësi bëhet lutje. Fjalët e tij nuk janë nga kjo botë, por bota është krijuar për fjalët e tij. Në gjoksin e tij është shkruar fillimi dhe fundi, sepse ai është udhëtari i Pafundësisë. Ai i mbyllë sytë, po zemra e tij nuk fle. Ai është Muhamedi në shpellën Hira. Nëse nuk e do errësirën, futu në shpellën e tij.

Sa më shumë të vetmohesh në shpellën e tij, aq më pak do ta ndjesh vetminë. Sa më shumë të hysh në thellësinë e shpellës së tij, aq më shumë do të gjesh dritë. E kur zemra e gjen dritën, e ndjen se errësira ka qenë ekzistencë e rreme. Epo, si do të ekzistonte errësira sikur të mos ishte Drita dhe si do ta gjenim Dritën po të mos ishte errësira?!...
Futu në shpellën e Muhamedit dhe lexo! Çfarë të lexosh? Lexoje veten! Lexoje mishin, gjakun dhe fymëmarrjen tënde! Lexoje ujin e lumit, që derdhet në det, por nuk ia ndërron shijen ujit të detit. Atëherë, e kupton pse deti nuk e kthen mbrapsht asnjë lumë.
Shpella nuk vjen tek ti, por ti shko tek ajo sepse ty të ze shpella, e jo e kundërta. Futu në Hirën e Muhamedit, që ta ndjesh se vdekja nuk është vetëm ndarje, por edhe takim; që vetmimi nuk është veç vetmi, por edhe shoqërim; që fundi nuk është vetëm fund por edhe fillim.
E kaluara është veç kujtesë, e ardhmja është veç pritje! E, e tashmja? E tashmja është koha, kur duhet të vdesësh para se të vdesësh. Kohën nuk mund ta ndalësh, por mund të mos e humbasësh! Futu në shpellën e tij, para se dielli të ketë lindur në perëndim! Hëna u nda në të kaluarën, dhe kjo është veç kujtesë, dielli në të ardhmen do të lind në perëndim, dhe kjo është veç pritje. E tash, hyr në Hirën e Muhamedit tonë, që e kaluara dhe e ardhmja të bëhen e tashmja jonë! Mirupafshim“Atë Ditë, kur Ne e palosim qiellin, sikur palosja e fletëve në libër. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë...”(Kuran 21/104