>
LETERSISHQIP

Mërgimtarët

Nëpër botë degdisur
Brigjeve të mërgimit
Si gurë të rrokullisur
Lumenjve të pikëllimit.
Ia kthyet shpinë Tokës
Kraharorit të nxehtë
Dhe zutë vend ku guri
Peshon më lehtë…
Ikët për t’u kthyer
S’u kthyet për të ikur
Latë plang e shtëpi
Dhe vatrën e fikur…
Zjarrin e vendlindjes
Thellë në gji e futet
Që stuhi e globit
Para jush të zbutet!
Ajo botë e ëndrrave
Që ju ngjante në det
Sapo u zhytet në të
Përroskë e vogël mbet.
Pas yllit të largët
Ju vraponit kot
Sepse ishte i huaj
Nuk e zinit dot.
Dhe pogaçe e zjarrtë
Në qiellin e huaj
Si një disk i akullt
Për kopshtin tuaj.
Në vend të përqafimit
Për dashurinë e zjarrtë
Bota kishte shpifur
Buzëqeshjen e thartë.
Në vend se ta shijonit
Diellin në lindje
Ju ëndërronit agun
Si zbardh në vendlindje.
Edhe ëndrrat për Tokën
Një ditë mund t’i harroni
Por kurrë fjalën e saj:
– Rrini këtu, mos shkoni!