>
LETERSISHQIP

Pyeta Valet Vogelushe

Pyeta valët vogëlushe;
mu si krahët e një gushe
përmbi supe nga një shkumë,
kush më pak e kush më shumë,
venë e vinë e shkojnë e shkasën
dhe përhera për ty flasën.

Valëza, o valëza,
farë e fis me vashëza,
ku e keni shoqen tuaj?
Ruaje zot nga erë e huaj!

Pyeta zoga, pyeta zogj,
pyeta zemrën që m’u dogj,
pyeta lulet nëpër baça,
nëpër baça, që un’ plaça,
muaj e vitra po të pres,
vidi-vidi pëllumbeshë!

Vidi-vidi zogëza,
farë e fis me zojëza,
ku e keni shoqen tuaj?
Një minutë e gjat’ një muaj!

Vidi-vidi pëllumbeshë!
për ty qaj e për ty qeshë,
për ty qesha; gjithë jeta
me gjith’ lule, me gjith’ fleta,
u bë fli për ata sy;
çdo gëzim ta fala ty!

E çdo brengë e mbajta vetë.
Tash afroi e thënë e shkretë,
dhe un’ s’di ku jam, ku vete,
rroj për ty e vdes për vete!