A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #
Anita Bitri
(1968-2004)
  • Vendlindja:
  • Sarandë 
Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  27
Këndon kryesisht: e lehtë

Anita Bitri është këngëtare dhe autore këngësh shumë e njohur. Anita Bitri u lind në një familje intelektuale. Të gjithë admironin tiparet e bukura dhe të ëmbla të kësaj fëmije ëngjëllor. Edhe pse ishte në kopësht, ajo këndonte dhe recitonte pa pushim. Që në atë moshë dinte shumë poezi të njohura dhe imitonte shumë këngë të festivaleve. Vlen për të përmendur pjesëmarrja e saj në Festivalin e Fatosave të rrethit të Vlorës, ku paraqitet si valltare në rolin e “bletës punëtore”. Interpretimi i talentuar i Anitës tërhoqi vëmëndjen e pjestarëve të jurisë, të cilët e vlerësuan si kërcimtaren dhe këngëtaren më të mirë të këtij Festivali.

Prej moshës 8–14 vjeç, Anita ishte pjesmarrëse e rregullt e Festivaleve të Pionerëve të rrethit të Vlorës, duke u vlerësuar edhe me çmime nderi. Për t’u përmendur janë këngët e kënduara prej saj “Kukulla ime”,”Agimi dhe fshesa” etj…. Ishte një fëmijë ëndërrimtar dhe shumë e apasionuar pas muzikës dhe këngës. Këngëtarja Vaçe Zela ishte hidhulli i saj dhe ëndëronte të bëhej si ajo, një këngëtare e famshme. Talenti i saj i veçantë për muzikën tërhoqi vëmendjen e profesorit të violinës, zotit Robert Papavrami, i cili u mahnit nga veshi muzikor i kësaj fëmije në konkursin që u zhvillua për pranimin e elementëve të rinj për klasën e parë të shkollës së muzikës “Naim Frashëri” në Vlorë. Për të parën herë profesori i madh u ndesh me një talent të tillë të dhuruar nga natyra. Anita, sipas profesorit, ishte një nga rastet e rralla që kishte 99 % talent të dhuruar nga Zoti dhe i duhej vetëm 1 % punë për t’u bërë gjeni në violinë. Intuita e profesorit nuk gaboi; Do të duhej vetëm një vit pune që Robert Papavrami dhe Anita të dilnin para spektatorit vlonjat në një duet me violinë, duke mahnitur sallën me interpretimin e tyre virtuoz.

Vitet e shkollës fillore dhe 8-vjeçare u karakterizuan nga një pjekuri e lartë artistike në drejtim të violinës, por Anita ishte edhe një nxënëse e mirë edhe në disiplinat e tjera. Kishte një pasion të veçantë për sportin, veçanërisht i pëlqenin ushtrimet gjimnastikore dhe lojrat e topit me dorë (basketboll dhe voleiboll) dhe në këtë fushë shfaqej si një sportiste e lindur.

Në vitet e shkollës së mesme Anita filloj të studionte fshehurazi dhe të besonte në eksistencën e Zotit dhe t’i bindej verbërisht Atij. Të gjithë habiteshin me bindjet e saj fetare, të ndaluara për atë kohë. Pa asnjë druajtje shprehej që dhuntitë e saj ishin dhuratë e Zotit dhe çdo gjë e shikonte në këndvështrimin e tij. Në shkollën e mesme të muzikës “Naim Frashëri” në vlorë ku ajo vazhdoi studimet, karakterizohej si një nxënëse shembullore, veçanërisht në violinë, që ishte edhe instrumenti për të cilën studionte. Pasioni i fëmijërisë, kënga, ia kishte lënë vëndin violinës dhe solfexhit.

Në vitet 1980-1986 prezantohet para publikut vlonjat si violiniste në orkestrinën e shkollës së muzikës “Naim Frashëri”, mirëpo duke u rritur paisoni për këngën po e thërriste, gjë të cilën Anita filloi ta demostronte te shokët e klasës dhe profesorët e kantos. Të gjithë kuptuan se përveçse një violiniste e talentuar, ajo kishte edhe një zë të jashtëzakonshëm. “Një zë i ëmbël e njëkohësishtë i rrallë”, e cilësuan profesorët e saj.
Prezantimi i Anitës si këngëtare ishte thjesht një rastësi e përgatitur nga Zoti. Gjatë një koncerti ku ajo merrte pjesë si violiniste, një nga këngëtaret u sëmurë dhe kështu, lindi domosdoshmëria të zvëndësohej. Shokët e orkestrës, që e kishin dëgjuar të këndonte, propozuan atë dhe efekti ishte i mahnitshëm. Prezantimi i parë u prit me duartrokitje pa fund nga publiku i sallës i elektrizuar nga zëri i mahnitshëm i saj. Ky ishte fillimi i një karriere të gjatë dhe të suksesëshme artistike, që ka vetëm një protagoniste: Të madhen dhe të paharruarën ANITA BITRI.

Kënga e parë e Anitës në shkallë kombëtare titullohet “Hartimi dhe Dëbora”. Në anketën muzikore të Radio Tiranës për këtë këngë, vlerësohet për interpretimin e saj brilant. Më pas, sukseset e saj vazhduan me këngën shumë të njohur, “Mos u nxito, mos u gabo” të Alqi Boshnjakut në Koncertin e Pranverës 1988, ku u vlerësua me çmim të parë. Talenti i Anitës nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e kompozitorëve të njohur të asaj kohe. Flamur Shehu ishte i pari që do të besonte tek ajo dhe do të fillonte të bashkëpunonte me të në disa festivale me radhë të Radio Televizionit Shqiptar. Vlen për t’u përmendur interpretimi i këngëve “Lulet e majit i çel në janar”, “S’ka formulë në Dashuri”, “Abrakadabra” etj. Në këto vite triumfi Anita pranohet si këngëtare profesioniste në trupën e Teatrit të Estradës Vlorë. Më pas ajo korr një sukses të jashtëzakonshëm në shkallë kombëtare me koncertet e saj recitale të titulluara “Anita”.

Në çdo vit që kalonte, Anita shihej si një rrezik i madh për marrjen e çmimeve, sepse nga kënga në këngë, nga viti në vit, konfirmohej si një këngëtare pa të cilën festivali nuk kishte kuptim. E gjitha kjo nuk u arrit veçse nga talenti i saj i padiskutueshëm, mënyra se si e interpretonte këngën, luku plot shije dhe mbi të gjitha, për faktin se ajo pati guximin të fusë elementët e rinj bashkëkohorë dhe shumë modernë për kohën. Te këngëtarja Anita Bitri gjendet gjithçka që Zoti i ka dhuruar një artisti.

Krahas këngës Anita nuk la pas dore dhe studimet, ishte vullneti dhe dëshira e saj që bën të mundur vazhdimin e studimeve të shkollës së lartë në Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ku në vitin 1989 diplomohet si mësuese kantoje. Profesionin e mësueses e ushtroi vetëm për pak muaj, pasi ajo që e thërriste ishte kënga. Zoti i kishte caktuar një mision, të lumturonte popullin e vet me zërin e saj magjik.

Koncertet recitale “Anita”, që u zhvilluan me një sukses të madh në çdo cep të Atdheut, bën që Anita të fitonte një popullaritet të jashtzakonshëm në çdo qytet të Shqipërisë. Pas një shfaqjeje të suksesshme në Tropojë, iu bë ftesa për të shkuar në SHBA. Në mars 1996 mbërrin në “tokën e premtuar”.

Gjatë qëndrimit në Amerikë aktiviteti artistik i Anitës ka qënë i pandalshëm dhe gjithmonë në rritje. Ajo ka qënë përherë e lidhur me problemet e Diasporës Shqiptare dhe ka ndihmuar shumë në rritjen e prestigjit të artit shqiptar. Anita ishte jo vetëm një artiste e talentuar, por gjithashtu dhe një patriote e flaktë. Vlen për t’u përmendur pjesëmarrja e saj në koncertet e bamirësisë dhe aktivitete të ndryshme të Diasporës për mbledhjen e ndihmave për luftën në Kosovë. Në këtë konteks është pët tu theksuar koncerti i bamirësisë që u zhvillua në 10 prill 2000 për mbledhjen e ndihmave për fëmijët e varfër të Shqipërisë. Për këtë koncert Anita meritoj lavdërimet dhe respektin e Presidentit të Shqipërisë, zotit Meidani për kontributin e dhënë dhe gjatë interpretimit të disa këngëve u shoqërua nga vetë gruaja e Presidentit. Ajo ishte njëkosisht dhe një anëtare aktive e Organizatës së Gruas Shqiptare në Amerikë “Motrat Qiriazi”. Anita e shikonte pjesëmarrjen në koncertet e ndryshme të komunitetit si dhe ato bamirëse si vazhdimësi të rrugës së saj artistike. Në këtë mënyrë, talentin dhe zërin e mrekullueshëm ja dedikoi tërësisht çështjes shqiptare.

Gjatë karrierës së saj artistike, Anita është nderuar me shumë çmime e diploma në aktivitete të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Këto çmime të fituara tregojnë më së miri aftësitë e shquara të saj në fushën e artit skenik, si dhe respektin dhe vlerësimin e madh që i kanë bërë asaj juritë e ndryshme, kolegët e bashkëpuntorët e saj dhe sidomos publiku i gjerë, i cili do ta kujtoj gjithmonë Anitën si një model i përkryer i interpretimit dinjitoz të muzikës sonë.

E përse jo, ajo zotëronte një koncept të plotë për muzikën, të cilën ajo jo vetëm e ndjente, por edhe e zotëronte plotësisht. Ishte një gjeni në violinë dhe në piano ishte e talentuar, ndërsa solfezhin e njihte në përsosmëri. Por të gjitha këto suksese në jetën artistike të Anitës nuk do të bëheshin të mundura pa përkrahjen dhe respektin që tregoi publiku i dashur shqiptar, të cilin ajo e adhuronte dhe i dhuronte çaste të gëzuara me zërin e saj magjik. Gjithashtu një rol të rëndësishëm dhe vendimtar në këtë drejtim luajti dhe lindja e Siborës. Lindja e vajzës ishte një nga dhuratat më të mëdha, që Zoti i fali. Ëngjëllushen e vogël Anita e rrethoi me një dashuri dhe përkujdesje të papërshkrueshme. Ajo e edukonte me respektin për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, përkujdesej në mënyrë të veçantë për ecurinë e saj shkollore, ishte një nënë e përsosur dhe një edukatore e mirë. Kënaqësin Zoti ia shtoi me ardhjen e nënës në Amerikë, sepse Hazbija jo vetëm që ishte shumë e lidhur me Anitën, por njëkosisht ishte një nxitje në jetën e saj artistike, duke flijuar çdo gjë me qëllim që t’i linte hapësirë krijmtarisë artistike të vajzës dhe këngëtares së saj të adhuruar. Anita ka qënë për të gjithë familjen Bitri, nderi dhe krenaria e kësaj familje.

Me ikjen e Anita Bitrit arti dhe publiku shqiptar humbi një zë të mrekullueshëm, Shqipëria një patriote të flaktë, diaspora një aktiviste dhe personalitet muzikor, familja dhe miqtë, një artiste dhe shoqe të mrekullueshme.

Për Anitën (Elisabeta Ilnica)

Një zhurmë gjigande çau qiellin e nxirë. Ishte rrufe, a ndoshta apokalips?! E gjithë njerëzia u përul. Kudo lutej për shpëtim...Më në fund, dëgjohet një zë. Oh, nuk është zë i zakonshëm, por një e qarë fëmije. Zemërimi i kohës, stepet. Ngjyra e zezë zbehet kudo, duke u shndërruar në agim. Drejt detit rikthehen pulëbardhat. Toka dhe qielli bëjnë paqe. Zoti solli në këtë botë përgjigjien e lutjeve, Anita Bitri. Sarandë, 8 janar 1968. Një vogëlushe do të ndryshonte jetën e shumë njerëzve. Mbase, mbase edhe të një kombi. Ajo nuk dinte të ecte, por vetëm të vraponte bashkë me erën. Kërkonte të gjente misionin, për të cilin ishte bekuar. Ngre kokën lart. Një rreze hyjnore i sjell lajmin: Anita ka lindur për të bërë art. Ka ardhur në këtë botë për të shenjtëruar muzikën. Do të triumfojë përjetësisht për këngën. Vrapimi ndalon përkohësisht në Vlorë. Sërish në bregdet, sërish pranë valëve. Ajo që e thërriste ishte kënga. Tashmë nuk mund të kuptonte veten dot pa të. Ishte e destinuar që zëri i saj të mrekullonte. Përpara Anitës qëndronte pasqyra. Mori krehërin dhe e afroi afër flokëve. I preku pakëz dhe e ndaloi te baluket e shkurtëra. Dalëngadalë e uli poshte e më poshtë. Pa dashje, ceku paksa dhe hundën. Stop! Tani ishte momenti. Duhej vetëm të provonte zërin. Kurajua nuk i mungonte. Po ashtu dhe mikrofoni prej krehëri. E vetmja gjë që i kishte mbetur, ishte të përpiqej. Pasqyra e madhe i tregonte spektatorët që prisnin me padurim vogëlushen të këndonte. Mbylli sytë fort dhe shtrëngoi “mikrofonin”. Tashmë nuk kishte mbetur gjë tjetër veçse të bindte zërin. Më në fund guxoi. Ishte vetëm një refren i këngëtares së madhe Vaçe Zela. Një refren, që e bëri të mos ndalonte kurrë më së kënduari. Asgjë nuk mund ta pengonte më tani. Krehëri dhe pasqyra do të ishin dy kritikët më të aftë, por edhe dy miqtë e saj më të mirë, të cilët nuk do t”i ndante dot nga vetja. Provat sekrete në dhomën e gjumit do t’i vazhdonte, derisa një ditë gjeti një njeri, me të cilin i bashkonte diçka e përbashkët; etja për të bërë art! Quhej Robert Papavrami. Nuk ishte më tepër se 7 vjeç, kur mjeshtri i violinës kërkoi të bindte gishtat e vogëlushes mbi telat e violinës. E çuditshme…Profesor Berti që kishte bredhur botën, nuk kishte parë kurrë fëmijë tjetër që të “skllavëronte” në atë mënyrë violinën. Gjithnjë kishte dashur që të ushtronte njerëz me 1 përqind talent dhe 99 përqind punë. Por kësaj here, ai kishte gjetur dikë që kishte 99 përqind talent. Ajo quhej Anita Bitri. Tashmë, nuk i duhej veçse 1 përqind punë. Ata dolën para spektatorëve në një duet tepër special, duke u prezantuar si mjeshtra të violinës. Një sukses për t’u patur zili. Tashmë violina kishte gjetur duart e merituara, por…Anita donte që zëri i saj të dilte jashtë dhomës së gjumit. Donte që ta dëgjonin që dinte të këndonte, po aq bukur, sa ç’dinte të nënshtronte violinën. Vendosi të kujdesej për zërin në fshehtësi. Ngadalë u mësua me sekretin e saj. Kur prekte telat e violinës, në mendjen e saj ishin vargjet. Këndonte nën zë. Dashje pa dashje, por me një dëshirë të madhe, Anita fillon të mësojë rreth zotit dhe të besojë në të. Që nga ai moment, nisi ta ndjejë veten e privilegjuara e Tij. Ishte DESTINI që e kishte kompletuar lidhjen mes Anitës dhe Zotit. Ishin detaje të vogla, por që do të ndryshonin “kursin e lundrimit”.

Festivali i Interpretuesve të Klasës Punëtore në Elbasan fton Anitën të konkurrojë. Ishte veçse një maturante për nga mosha, por jo për nga zëri. Osman Mula i kishte besuar këngën “Eja”. Por nuk mjaftonte kaq. Anita nuk kishte mbushur moshën që të merrte pjesë në këtë festival. I duheshin dhe pak muaj që të bënte 18 vjeç. Lufta filloi, për të mbaruar shumë shpejt me fitoren e Anitës. Ishte publiku elbasanas, që jo vetëm e ndihmoi që të marrë pjesë në festival, por edhe u bë aleat i fuqishëm, duke ndikuar në juri, që ajo të merrte çmimin e tretë. Ky ishte Destini, që aq shumë e lidhte jetën e saj, Anita. Hapat filluan të shtoheshin drejt këngës. Tani kishte vetëm ngjitje. Sekretet morën fund. Anita dinte të këndonte po aq bukur sa ç’i binte violinës. Qershor 1986, ajo bëhet fituesja e çmimit të parë në Festivalin e Interpretuesve në Vlorë, me një kompozim të Arben Zhezhës. Rrugët ishin të hapura. Destini kishte bërë punën e tij, tashmë ishte radha e Anitës për t’ia shpërblyer atij. Vetëm 6 muaj më pas, Anita rrëmben një tjetër çmim të parë po në Vlorë, por kësaj here në festivalin e Këngës, edhe pse më të njëjtin kompozitor.

Dimri trokiti sërish. Anita më në fund mbushi 18 vjeç. Ajo mund të çante në mes të të rriturve në moshë, por edhe mes të të rriturve të këngës. Ajo ëndërronte që zëri i saj të depërtonte në çdo shtëpi të Shqipërisë. Ishte qershori 1987, që do t’i plotësonte asaj këtë dëshirë. “Hartimi dhe Dëbora”, që u krijua nga shoqja e klasës Laureta Çuku, i dha ngadhënjimin e dytë në Tiranë. Ky ishte veçse fillimi, pasi fundin kishte vendosur mos ta mendonte kurrë. Do të përmbushte misionin. Destini dhe talenti i saj do ta ndihmonin. Viti 1988. “E vogla mes shoqesh”, e kompozitorit David Tukiqi i dha çmimin e tretë të jurisë, por të parin për spektatorin. Ndërrimi i viteve shpalos një tjetër sukses me duetin Bitri-Ndoci, “Shikomë në sy”. Ndërsa “Mos u nxito, mos u gabo” në Koncertin e Pranverës 1988, në bashkëpunim me Alqi Boshnjakun dhe Aleksandër Vezulin, nuk ishte më një këngë që i dha çmimin e parë Anitës, por një perlë për gjithë muzikën e lehtë shqiptare. Pranverë 1989, Anita shpërthen sërish teksa këndonte “Lulet e majit, i çel në janar”. 3 muaj më pas, rrëmben çmimin e dytë në koncertin e Këngës me “Era përcjell fjalën të dua”, të kompozitorit Gjergj Leka, e cila mori çmimin e dytë. Recitali “Anita” bën që këngëtarja vlonjate të kalojë kufijtë e Shqipërisë. Turqia i dhuron vendin e dytë në Festivalit Ballkanik në mars 1990. Anita rikthehet në Shqipëri gjithnjë e më ngadhënjyese. Flamur Shehu dhe Jorgo Papingji nuhasin te vajza vlonjate madhështinë e të interpretuarit. Në dhjetor 1990, ata i besojnë asaj dhe shpërblehen me çmimin e parë. Bashkëpunimi Bitri-Shehu-Papingji vazhdon të sfidojë. “S’ka formulë në dashuri” vlerësohet e dyta. Treshja e muzikës rishfaqet prapë bujshëm me këngën “Fat dhe dashuri”. Kjo bën që Anita të prezantojë zërin e saj edhe nëpër Evropë. Rikthehet me çmimin e tretë në dhjetor 1993, në Festivalin e Këngës me anë të kompozitorit vlonjat Artur Dhamo.

Megjithatë, Anita kishte shumë etje që zëri i saj të dilte nga kilometrat që përbëjnë Shqipërinë. Edhe pse kishte bërë disa tentativa, ishte kthyer gjithmonë për festivale. I druhej mungesës në skenën shqiptare. Pas shumë lëkundjesh vendosi që të paktën për një vit të shfaqte zërin e saj nëpër Evropë. Nuk u zhgënjye, ashtu siç nuk u zhgënjye edhe publiku jashtë kufijve shqiptarë. Por festivali ishte pika e dobët e Anitës. Në vitin 1995 ajo zotëron sërish skenën jo si konkurrente, por si e ftuara e nderit të festivalit. Kërkesat e shumta të publikut bënë që vetëm pak muaj më pas, ajo të zhvillonte koncertin e dytë recital në Vlorë. Për dy ditë me radhë ajo e ndjeu veten e privilegjuara e Zotit dhe e publikut. Duartrokitjet e vlonjatëve arritën nga jugu në veri. Pasi këndoi për shumë qytetete të vendit, në Tropojë merr ftesë që zëri i saj të dëgjohej dhe në Amerikë. Destini ishte sërish me të. Po ashtu edhe Zoti. Viti 1996. Shqipëria po vuante nga arti gjithnjë e më i dobët. Kritikët mungonin, ndërsa Anita kërkonte majën e ajzbergut të muzikës. E dinte që Amerika përkthehej si vendi i realizimit të ëndrrave. E dinte që fama e priste edhe në perëndim. Më në fund arrin në "tokën e premtuar".
Dielli shqiptar filloi t'i mungojë menjëherë.

E kishte ditur që nga fillimi që do ta kishte të vështirë, por jo kaq. Ishte hera e parë që lutej për Destinin. Duke qenë se për momentin, ai nuk u përgjigj, atëherë Anita vendosi që ta kërkonte vetë. E vetmja gjë që duhet të bënte, ishte të këndonte. I vuri detyrë vetes që të mos harronte kurrë misionin e saj që nga lindja. Për tre vite me radhë, harroi së qeni Anita, por vajza e këngës.

Ajo sfidon me një serial koncertesh recitale, duke çuar gjithnjë publikun në këmbë. Tashmë Anita kishte bërë një pakt me dashamirësit e saj. Ajo do të këndonte për to dhe publiku do ta deshte për këtë. Të adhuroje muzikën e Anitës u kthye në një ëndërr, nga e cila nuk dëshironte të zgjohej asnjeri. Përkundrazi, po u pëlqente bota e re me emrin "Anita". Kështu, ndodhi. Ajo vazhdoi udhëtimin e saj me koncerte në shumë qytetete të SHBA-së. Ditë pas dite, ajo lartohej gjithnjë e më shumë. Sa më shumë këndonte, aq më shumë ngrihej. Në këto ditë triumfi, ajo takoi edhe kompozitoren e famshme botërore të Celin Dionit, Tina Shaffer. "Zëri i Anitës është shumë i kompletuar dhe ëngjëllor që zbret nga qielli", do të thoshte e mahnitur Tina amerikane. Viti 2002 sjell një Anitë këngëtare gjysmë shqiptaro-amerikane. Këndonte, shkruante dhe kompozonte. Tashmë ajo shfaqet si një kantautore e mahnitshme. Në janar të vitit 2003, prezanton një koncert me këngëtarë shqiptarë, kosovarë dhe maqedonas, ku nderohet nga ambasadori Uilliam Ualker dhe drejtori i projektit të Evropës Lindore në CSIS, zoti Janusz Bugajski. Një muaj më vonë Anita nënshkruan një kontratë për një album të ri me një kompani amerikane "An'Km records@Enterteiment". Tashmë "Toka e premtuar" i dha gjithçka kishte ëndërruar, por jo atë për të cilën e kishte caktuar destini. Kishte ardhur finalja. Anita duhej të ndryshonte fatin e një kombi. Do të kthehej në Shqipëri. "Anita, kjo është Anita Bitri. Është kthyer Anita!". Nuk e kishte dashur kurrë emrin e saj aq shumë sa atë ditë të nxehtë korriku. Ngado që lëvizte kokën, kishte njerëz që e vështronin me admirim. Luku dhe veshja "made in USA", vetëm sa e zbukuronte, pasi ajo ishte e gjitha shqiptare në tokë shqiptare. "Çdo gjë është e mundur". Bashkëpunimi me producentin amerikan, James

Avatar në 14 këngët e këtij albumi befasuan menjëherë publikun shqiptar. Ata e adhuronin Anitën. Planet ishin të mëdha. Megjithatë, duhej të kthehej edhe njëherë drejt Amerikës, për të ardhur më vonë përgjithmonë në Shqipëri...

Avioni ndërroi qiell. Tetori sa vinte dhe bëhej më i egër, duke i shpallur luftë brishtësisë. Donte të sfidonte dimrin. Orë pas ore ditët vjeshtake bëheshin gjithnjë e më të plogështa. Ah, po bien disa këmbana. Dikush po pregatitet për udhëtim të largët. Perëndia po e thërret. Njerëzit kureshtarë dalin të shohin. 19 tetor. Nënë Tereza po shenjtërohet. Të gjithë përkulen para saj. Të gjithë e lusin Nënën e Madhe që ta shoqërojnë në "aventurat" e saj qiellore. Dhe ajo nuk di kë të zgjedhë. I duhet dikush tepër e veçantë dhe tepër e pastër. Dikush që të ketë diçka hyjnore. Vështron fytyrat me radhë. Anita i përgjërohet që të jetë ajo e zgjedhura e saj. Nënë Tereza e kuptoi se atë e kishte caktuar destini. I zgjat dorën dhe e fton në udhëtim. Por Anita nuk mund të nisej pa të dashurat e saj. I lutet që të marrë me vete Siborën e vogël dhe nënën. Shenjtorja u bind. Tashmë suita qiellore po i priste me të gjitha nderimet. Nënë Tereza i caktoi misionin e ri Anitës: Të këndonte përjetësisht për engjëjt...

Në Dhjetor 1987, Anita Bitri merr pjesë në Festivali i 26-të në RTSH me këngën "E Vogla Mes Shoqesh".

Në Mars 1988, Anita Bitri merr pjesë në Kur Vjen Pranvera 1988 me këngën "Mos U Nxito, Mos U Gabo".

Në Dhjetor 1988, Anita Bitri & Gezim Çela marrin pjesë në Festivali i 27-të në RTSH me këngën "Buzëqeshja Jote Jemi Ne".

Në Prill 1990, Anita Bitri merr pjesë në Kur Vjen Pranvera 1990 me këngën "Lulet E Majit", në bashkëpunim me Dashnor Diko & Adhurim Demiri.

Në Dhjetor 1990, Anita Bitri merr pjesë në Festivali i 29-të në RTSH me këngën "Askush S'do Ta Besoje".

Në Dhjetor 1991, Anita Bitri merr pjesë në Festivali i 30-të në RTSH me këngën "Fat Dhe Jetë".

Në Dhjetor 1993, Anita Bitri merr pjesë në Festivali i 32-të në RTSH me këngën "Dashuri, Ke Emrin Tim".

Në Dhjetor 1995, Anita Bitri merr pjesë në Festivali i 34-të në RTSH me këngën "Besoj Ne Dashuri".

Në Mars 1999, Anita Bitri publikon albumin e parë “Malli”. Këngët e saj promovohen në ambjentet e Misionit të Ambasadës Shqiptare në Nju- Jork. Miss Albania, U.S.A. e bërë sërish që të ishte e ftuara speciale. Agjensia amerikane C.P.V, e cilëson si këngëtare profesioniste gjatë një konkursi mes dhjetra këngëtarëve shqiptarë. Emri Anita nisi të marrë shumë kuptim edhe në anglisht. Më 7 dhjetor 1999, ajo ftohet nga organizata ndërkombëtare "Madre", si përfaqësuesja më e denjë e këngëtarëve shqiptarë. Pas shumë vitesh, Anita pregatit edhe një surprizë. Loja me violinë kishte nisur ta tërhiqte sërish. Duke ndërthurur këngën me violinën, ajo arriti që brenda 3 minutash të tërhiqte vëmendjen e yjeve të Hollivudit, si Tom Robbins, Susan Sarandoë, Vanesa Redgrave, Danny Shechtler, Eve Essler, Nenad Bach, etj. Kjo ishte "mirëseardhja" amerikane për Anitën. Ata e ftuan në botën perëndimore të muzikës, duke e vlerësuar si pop-singer. Sa mirë që Perëndia ishte sërish me të. Anita u bë emri që bashkonte të gjithë shqiptarët e Amerikës. Anita u bë vajza që mblodhi rreth një tryeze gjithë ambasadorët e botës në gusht 1999. Ata nuk dinin shqip, por arritën të ndjejnë shqip vetëm nëpërmjet zërit magjepsës të këngëtares vlonjate. Vetëm 24 orë më pas, ambasadori i U.N. i drejtoi Misionit Shqiptar një letër falenderimi për ambjentin e krijuar dhe muzikën e bukur shqiptare të interpretuar nga Anita Bitri. Viti 2000 nxjerr sërish atë si të privilegjuarën e këngës. Një koncert me përmasa tejet të mëdha, ku merrnin pjesë, Inva Mula, Pirro Çako, Pali dhe Zerina Kuke, apo i famshmi Fadil Berisha, nuk mund të ishte kurrë i plotë pa Anitën.

Në vitin 2004, Anita Bitri publikon albumin "Cdo Gje Eshte E Mundur". Në këtë album do të gjeni të gjithë frutin e eksperiencës dhe të pjekurisë artistike të kësaj artisteje të madhe. Në këtë album Anita paraqitet si kantautore.

» Dërgo Korrigjime »

» Tekstet e Këngëve »

Faqja

Zyrtare

Shto profile

të tjera





Kjo faqe përdor cookies vetëm për reklama dhe statistika. Kjo faqe nuk mbledh, nuk përdor dhe nuk shpërndan të dhënat tuaja. Kompanitë e palëve të treta që përdorin cookies janë: Google, Taboola dhe MGID.
Më shumë info  
teksteshqip.com © 2007 - 2019